Pritet heqja graduale e certifikatës së vaksinimit
Italia pritet t’i japë fund gjendjes së emergjencës prej pandemisë së koronavirusit. Në një dalje para mediave, kryeministri Mario Dragi deklaroi se nuk ka në plan të rinovojë gjendjes së emergjencës pas 31 Marsit, kur i përfundon afati duke marrë edhe duartrokitje në sallë.
Prioritet është edhe heqja graduale e certifikatës së gjelbër të përforcuar, që aktualisht pengon hyrjen në shumicën e ambienteve publike kryesisht në ato të jashtme, si bare, restorante, panaire, festa, spektakle apo ngjarje sportive. Për hyrjen në to mund të kërkohet dëshmia e një testi negativ ndaj Covid-it.
Pak ditë më parë, autoritetet e këtij vendi ashtu si shumë vende të tjera europiane, vendosën heqjen e detyrimit të karantinës për hyrjen e të huajve duke nisur nga 1 Marsi. Ata që duan të futen në Itali duhet të paraqesin certifikatën e vaksinës me dy doza.
Për të pavaksinuarit, mjafton një test i shpejtë ose PCR negativ. Vendimi pritet të rigjallërojë turizmin, sektorin e goditur më rëndë nga kufizimet e pandemisë.
Tv Klan