Nga data 13 deri më 17 Qershor në Shën Mitër të Kalabrisë do të mbahet Konferenca e 9 mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Kreu i Arkivit të Shtetit, përveçse ftoi studiues, ekspertë dhe arkivistë që të bashkohen, bën me dije se Arkivit tonë gjatë këtij aktiviteti do t’i dhurohet nga biblioteka e Kozencës, 1/3 të dorëshkrimeve të Jeronim De Radës.

“Jeronim De Rada ka 2/3 e dokumentacioneve të dorëshkrimeve të tij në Arkivin Qendror Shtetëror 1/3 në bibliotekën e Kozencës. Ne do t’i marrim ato në formë dixhitale ashtu siç do të japim edhe ne 2/3 tona në formë dixhitale”, tha Ardit Bido

Po në këtë konferencë mes studiuesh do të ngrihet diskutimi për krijimin e Arkivit Arbëresh, që tërësia e dokumentacioneve të mblidhen në një institucion të vetëm. Forma dhe mënyra, për Ardit Bidon, mbetet për t’u paraparë në vazhdimësi.

“Nëse një arkivë do të ishte një fondacion i përbashkët i shtetit shqiptar dhe shtetit italian, nëse do të ishte një arkivë rajonale italian, apo i fondacionit të komunave të arbëreshëve të Italisë janë gjitha për diskutim”, tha ndër të tjera Bido.

Fokusi i Konferencës mbarëkombëtare, do të jetë në studimin e gjuhës, kulturës dhe historisë Arbëreshe.

Tv Klan