Drejtësia italiane e ka dënuar ish-futbollistin e milanit dhe mikun e tij me 9 vite burg, pasi abuzuan me një shqiptare

Ministria italiane e Drejtësisë i ka dërguar Brazilit kërkesën për ekstradimin e ish-sulmuesit të Milanit Robinho, i cili është dënuar bashkë me mikun e tij më 19 Janarin e shkuar, me 9 vite heqje lirie.

Braziliani u shpall fajtor për dhunë seksuale në grup ndaj një 23-vjeçareje shqiptare, me të cilën abuzoi në një lokal në Milano natën e 22 Janarit të 2013-ës.

Prokuroria e Milanos në muajt e shkuar kishte nxjerrë një mandat ndkrkombëtar arrestimi për ish-futbollistin, me qëllim ekstradimin e tij në Itali.

Robinho dhe miku i tij Ricardo Falco ndodhen në Brazil.

Sipas agjencisë “ANSA”, midis autoriteteve italiane dhe atyre braziliane ka pasur kontakte me qëllim arrestimin  38-vjeçarit dhe mikut të tij e sjelljen e tyre në Itali.

Robinho ka qenë pjesë e kuqezinjve në vitet 2010-2014.

Ish-futbollisti u shpall fajtor se i ka dhënë të pijë të dëmtuarës deri sa ajo ka humbur vetëdijen e më pas kanë abuzuar në grup.

Në lidhje me çështjen, klubi i Santosit ku Robinho luante  vendosi që ta pezullonte kontratën me të.

Gjasat janë që të dy të dënuarit të mos t’i dorëzohen drejtësisë italiane, pasi kushtetuta braziliane nuk lejon ekstradimin e shtetasve të vet.