Ish-futbollisti i Brazilit Robinho u arrestua nga policia federale braziliane për të vuajtur një dënim me nëntë vite heqje lirie për përdhunim, pasi gjykata e lartë e Drejtësisë në vend autorizoi burgosjen e tij në vend pas kërkesës së bërë nga autoritetet italiane.
Në një njoftim, policia tha se ish-lojtari i kombëtres, Milanit, Sitit dhe Realit do t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor dhe një seance dëgjimore përpara se të dërgohet në qeli.
40-vjeçari u dënua nga gjykata e Milanos në vitin 2017 pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një vajze me origjinë shqiptare.
Pro kërkesës së autoriteteve italiane votuan 9 nga 15 gjyqtarë të institucionit.
Procesi nisi pas kërkesës së dërguar nga Ministria italiane e Drejtësisë në vitin 2023 nisur nga fakti se Brazili nuk lejon ekstradimin e shtetasve brazilianë në shtete të tjera.
Robinjo u shpall fajtor për përdhunim në grup ndaj një 23-vjeçareje në 22 Janar të 2013, ndërsa viktima ishte pa ndjenja.
Sipas gjykatës, Robinjo kishte bërë që vajza të pinte alkool derisa të humbte ndjenjat, e më pas u abuzua në grup në gardërobën e një klubi milanez ku vajza kishte shkuar të festonte ditëlindjen.
Sipas gjykatës, fajtorët e krimit kishin treguar përbuzje dhe e kishin poshtëruar viktimën.
40-vjeçari Robinjo jeton në Brazil dhe gjithnjë i ka mohuar akuzat e bëra.
Klan News