Ish-futbollisti i Milanit, Robinho, do të vuajë dënimin prej 9 vitesh burg për përdhunim në grup në Brazil sipas një vendimi të gjykatës supreme atje. Ngjarja në fjalë ndodhi më 22 Janar 2013 teksa braziliani luante për Milanin. Së bashku me 5 persona të tjerë, ata përdhunuan një shqiptare në një klub nate.

Italia kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Robinho-n, por ky i fundit i kishte shpëtuar qelisë pasi qëndronte së fundmi në atdhe, në Sao Paulo. Kushtetuta e Brazilit nuk lejon që shteti të ekstradojë qytetarët e saj. Pala italiane kishte bërë kërkesë që ish-futbollisti ta vuante dënimin në Brazil.

Për këtë arsye 9 nga 15 gjyqtarët në Gjykatën Superiore të Drejtësisë në Brazil pranuan këtë kërkesë dhe votuan pro që Robinho të vuajë dënimin në atdhe duke formuar shumicën e thjeshtë të mjaftueshme për të vendosur fatin e ish-futbollistit.

Siç shkruajnë mediat ndërkombëtare ata nuk u shprehën nëse lojtari është i fajshëm apo i pafajshëm, por vetëm nëse duhet ta vuajë dënimin në Brazil. E kështu, siç raporton Globo, Robinho duhet të burgoset menjëherë.

Robinho u shpall fajtor për përdhunimin e vajzës shqiptare që në Nëntor të vitit 2017. Por teksa vitet kalonin braziliani nuk u ekstradua dot. E kështu drejtësia italiane kërkoi vetë që ai ta vuajë dënimin në atdheun e tij.

Çfarë ndodhi në gjyqin ndaj Robinho-s

Carlos Nicodemos, avokati i Sindikatës Braziliane të Femrave ishte i pari që foli në sallën e gjyqit gjatë seancës. Ai kërkoi që Robinho ta vuajë dënimin në Brazil. Nicodemos përmendi një numër të lartë rastesh të përdhunimeve në Brazil. Po ashtu tregoi edhe vendimin e gjykatës spanjolle për të lejuar Dani Alves, ish-futbollistin e Barcelonës të dënuar për përdhunim, që të lirohet pasi pagoi një garanci prej 1 milionë Eurosh.

“Nuk po flasim për asgjë të re, po flasim për diçka që aplikohet në juridiksionin brazilian. Nga pozita ime, është e nevojshme të kuptohet se procedura për ratifikimin e një vendimi të huaj është njohje e premisave të një shteti të qytetëruar”, tha ai.

Më pas radhën e pati José Eduardo Rangel De Alckmin, avokati i Robinho-s. Duke cituar Kushtetutën ai argumentoi se Robinho duhet të gjykohet në Brazil.

“Procesi duhet të zhvillohet në Brazil. Theksoj se kjo nuk tregon në asnjë mënyrë pandëshkueshmëri. Ai do të ketë të drejtën të paditet në Brazil dhe të përgjigjet këtu për aktet që akuzohet. Është e drejtë e çdo qytetari brazilian”, tha Alckmin.

Sipas avokatit fakti që Kushtetuta nuk lejon ekstradimin tregon se ndalon ekzekutimin e një dënimi të huaj në Brazil. Po ashtu, sipas tij, procesi i zhvilluar në Itali ka qenë “pak i cunguar”.

I fundit që foli ishte përfaqësuesi i Ministrisë Federale Publike, Hindemburgo Chateaubriand Pereira Diniz Filho. Ai ishte pro qëndrimit që Robinho të vuante burgun në Brazil duke hedhur poshtë argumentet e avokatit mbrojtës të ish-futbollistit.

“Nuk ka asnjë provë që dënimi i dhënë nga Gjykata Italiane nuk ka respektuar të drejtat e personit të dënuar apo se nuk ka respektuar procesin e rregullt ligjor”, u shpreh ai.

Robinho pretendon pafajësi

Robinho pretendon se është i pafajshëm dhe akuzoi sistemin italian të drejtësisë për racizëm. Ai tha se marrëdhënia që kreu me shqiptaren në vitin 2013 ishte “konsensuale”.

“Shpresoj që në Brazil të kem një zë që nuk e pata atje. Nuk e mohova (marrëdhënien). Mund ta mohoja sepse ADN-ja ime nuk ishte atje, por nuk jam gënjeshtar. Luajta për 4 vite në Itali dhe u lodha duke parë histori rreth racizmit. Të njëjtët njerëz që nuk bëjnë asgjë kundër racizmit, janë të njëjtët që më dënuan”, tha ai për rrjetin brazilian Tv Record.

Më herët një media braziliane publikoi regjistrime audio të marra nga autoritetet italiane të cilat përfshinin Robinho-n duke diskutuar rastin me miqtë e tij.

“Do ta godasim në fytyrë. Ti do ta godasësh në fytyrë dhe ta pyesësh “çfarë të bëra?””, shprehet në një prej tyre Robinho.

Në një tjetër ai thotë: Kjo është arsyeja pse po qesh, nuk më intereson fare. Ajo ishte e dehur, as nuk e ka idenë fare se kush jam.

Ndërsa në një tjetër shprehet: Nëse kjo del në media, do të më shkatërrojë.

Dhe duket se me këto të fundit kishte të drejtë.

Robinho luajti për klube të mëdha si Real Madrid, Manchester City dhe AC Milan. Në vitin 2020 u rikthye në skuadrën ku nisi karrierën në Brazil, tek Santos. Me përfaqësuesen braziliane ka zhvilluar 100 paraqitje ndërkombëtare e duke shënuar 28 gola./tvklan.al