Salvini: Zgjedhje të reja. Di Maio: Largohu nga qeveria
Thellohen pasiguritë në Itali pas tërheqjes së Matteo Salvinit nga koalicioni qeverisës dhe thirrjes për zgjedhje të parakohshme.
Pala tjetër në koalicion, Lëvizja 5 Yjet, mbetet e palëkundur. Lideri i saj Luigi di Maio nuk pranon të shkojë në zgjedhje dhe i bëri thirrje Salvinit të tërheqë ministrat e Lega Nord nga qeveria. “Një sherif në arrati” e quajti themeluesi i Lëvizjes 5 Yjet, Beppe Gillo, ministrin e Brendshëm italian.
Zërat për një qeveri teknike deri në mbarimin e mandatit, Matteo Salvini i hodhi poshtë, pasi siç tha, kështu do të tradhëtohej demokracia. Për kreun e Lega Nord aleanca me di Maion, është e shkuara. Në një intervistë për Il Giornale, Salvini bëri thirrje për bashkim me Forza Italia të Silvio Berlusconit dhe Fratelli d’Italia të Melonit.
Beteja pritet të shkojë në Parlament, ku deputetët pritet të shprehen nëse do të votojnë mosbesimin e Kryeministrit Conte apo do t’i japin mbështetjen një qeverie minorance, pa Lega Nordin e Matteo Salvinit.
Tv Klan