Mbrëmjen e sotme në një lidhe më Skype në emisionin “Opinion” në Televizionin Klan ka qenë i ftuar ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio.
Luigi Di Maio: Jam i sigurt që do ja dalim, do ja dalim të gjithë së bashku dhe shumë faleminderit për kontributin që ka dhënë populli juaj, vendi juaj, për mjekët dhe infermierët që na keni dërguar. Ju nuk e keni idenë sa injektim, inkurajim, entuziasëm ka patur falë imazheve të mbërritjes së mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria dhe nga fjalimi karizmatik i kryeministrit Edi Rama, që bëri të emocionohen shumë qytetarë italianë, në sensin pozitiv. Sepse diskutimi i vlerave të përbashkëta, është një argument që flet për solidaritetin dhe miqësinë mes popujve dhe siç ka thënë Papa Françesku pak ditë më parë, askush nuk mund shpëtojë i vetëm nga kjo krizë. Unë besoj se Shqipëria, populli shqiptar dhe fjalët e Kryeministrit Rama përfaqësojnë atë vlerë europiane të solidaritetit, që ndoshta disa e kanë harruar. Por siç thashë edhe kur mbërritën mjekët dhe infermierët, kjo vlerë është mirëpërfaqësuar tek populli shqiptar, tek shpirti i Shqipërisë dhe tek qeveria shqiptare.
Blendi Fevziu: Çfarë nuk funksionoi në solidaritetin dhe shpirtin evropian gjatë kësaj epidemie?
Luigi Di Maio:Le të themi se në këtë moment në nivel europian jemi duke diskutuar mbi masat ekonomike që do të nevojiten të ndërmerren në të gjithë kontinentin dhe jo vetëm nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Unë uroj që në ditët në vijim të mundet të gjendet një zgjidhje, sepse e kam thënë qartë në të gjitha mënyrat , ne si qeveri duam të shpenzojmë të gjitha paratë që nevojiten për të ndihmuar popullin tonë, sipërmarrjet tona, punëtorët tanë, të rinjtë tanë, të moshuarit tanë, të papunët tanë. Dhe besoj se si kurrë më parë, në këtë moment nevojitet një shpirt bashkimi, vetëm me unitet do t’ja dalim të shpëtojmë. Pastaj mund t’ju them, se në momentin kur ne po flasim Gjermania ka pritur në spitalet e saj pacientët tanë, nga spitale të tjera europiane kanë mbërritur materiale mjekësore, kemi patur solidaritet dhe mbështetje edhe nga disa vende të Bashkimit Europian. Edhe ata që bllokuan maskat dhe ventilatorët tanë në doganat e tyre më telefonuan dhe kërkuan ndjesë. Pra unë besoj që Europa është në një test të rëndësishëm mbi politikat ekonomike dhe financiare, sepse janë ato që do të na lejojnë të ndihmojmë të rinjtë tanë të mos emigrojnë por të vazhdojnë të jetojnë dhe të punojnë në vendet tona.
Blendi Fevziu:Shumë shtete të Europës u gjendën të papërgatitura për këtë pandemi, a do jenë të përgatitura për krizën ekonomike që parashikohet pas pandemisë?
Luigi Di Maio:Ne duhet të jemi të përgatitur. Është e qartë që në një pandemi të kësaj natyre thuajse askush nuk ishte përgatitur. Vendet që besoj se ishin më të përgatitura ishin ato që në 10 apo 15 vitet e fundit e kanë investuar pjesën më të madhe të parave të tyre në shëndetin publik dhe sigurisht Italia nuk ka qenë një prej këtyre vendeve. Por duhet të them që edhe në takimin e G 20 të Këshillit të Punëve të Jashtme të këtyre ditëve, të gjithë vendet janë të vetëdijshëm që duhet një reagim i përbashkët. Sapo përfundova G 20 e tregtisë. Edhe atje të gjithë ministrat e tregtisë thonin qartë se reagimi duhet të jetë i përbashkët. Dhe reagimi ndaj krizës ekonomike është të investosh më shumë, të mos biesh në politikat e rrepta të shkurtimeve, dixhitalizimi dhe heqja e burokracive, sepse duhet të mbrojmë sipërmarrjet tona. Ne kemi modele sipërmarrjesh shumë të ngjashme, sipërmarrje të vogla dhe të mesme që kanë dëshirë të eksportojnë në të gjithë botën. Në këtë krizë duhet të gjejmë forcë dhe kurajo si qeveri për të mbështetur sipërmarrësit tanë që kanë forcë dhe kurajo të shesin.
Blendi Fevziu: Masat e izolimit a kanë dhënë rezultate konkrete pas paq kohësh?
Luigi Di Maio:Unë besoj se tani në këto ditë, shkencëtarët tanë po na thonë që kurba e kontaminimeve është stabël dhe po flasim për 15 apo 20 ditë nga momenti, kur presidenti Conte vendosi mbylljen totale të sistemit Italian për të mundësuar ngadalësimin e kontaminimit. Pra ne jemi shpresëplotë dhe mbi të gjitha kemi besim tek komuniteti ynë shkencor. Unë si ministër jam në shërbim të mjekëve, infermierëve, të punonjësve socio-sanitarë, të docentëve tanë univeritarë që ndjekin komitetin teknik shkencor, sepse janë ata në rreshtin e parë, në atë që Rama e cilësoi si një luftë e vërtetë.
Blendi Fevziu: Kjo pandemi nisi në kinë, Azi, por po bën të vuaj më shumë Italinë, Spanjën… pse mendoni se ndodhi kështu?
Luigi Di Maio:Këtë do e thonë shkencëtarët. Është e qartë që një pandemi si kjo nuk kishte precedent. Dhe them që nuk kishte precedent edhe sepse jemi shoqëri, komunitet ndërveprues në treg, në shumë dinamika dhe gjithçka duhet analizuar. Çfarë po ndodh në botë do e thonë shkencëtarët. Ajo që mund të them, është që në këtë moment besoj se qytetarët në çdo cep të globit duhet të kenë besim tek qeveritë e tyre dhe t’u besojnë komuniteteve shkencore. Sepse vetëm kështu do ja dalim ta kalojmë sa më parë këtë problem. Një problem që momentalisht është një krizë shëndetësore, dhe jeton edhe simptomat e parë të një krize ekonomike.
Blendi Fevziu:Italia u ndihmua nga Kina, Rusia… por më pak nga aleatët tradicionalë, besoni se kjo krizë do ndryshojë raportet gjeopolitike?
Luigi Di Maio:Sipas meje është e gabuar që të bëhen vlerësime mbi asetet gjepolitike të Italisë bazuar në ndihmat që merr. Siç e thashë më parë kemi marrë ndihma nga vendet e Europës, kemi marr ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse spitali fushor me çadra ne Kremona është ndërtuar falë ndihmës amerikane. Por duhet të falenderoj sigurisht përtej ndihmës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar, Kinën sepse ishte e rëndësishme, Rusia ishte një vend i rëndësishme për ndihmat. Ajo që mund t’ju them është që pa këto ndihma, sistemi nuk do të kishte reaguar. Sot kemi pak ditë, që falë sistemit, ndihmave dhe blerjeve që Ministria e Jashtme ka kryer në të gjithë botën kemi arritur të shpërndajmë nga 300 mijë maska në ditë, në 3 milionë maska në ditë. Për t’i dhënë një ide popullit shqiptar për krizën në Itali, dua të them se ne kemi nevojë për edhe 100 milionë maska çdo muaj dhe 10 mijë respiratorë pulmonarë për të shpëtuar jetën e personave në terapi intensive. Është një sforco e paprecedentë që askush nuk e kishte parashikuar, ndaj them unitet përballë kësaj emergjence, sepse na duhet të frenojmë kurbën e të infektuarve dhe viktimave sa më parë të jetë e mundur.
Blendi Fevziu: A keni një mesazh për shqiptarët?
Luigi Di Maio: Populli shqiptar, nuk bën përjashtim. Duhet të kuptojë siç ja themi edhe popullit Italian, se qëndrimi në shtëpi po shpëton jetë. Unë e them gjithmonë në Itali, që gjyshërve tanë u është kërkuar të shkojnë në luftë, ne na kërkojnë maskimumi të qëndrojmë në shtëpi. Unë besoj se këtë sforco mund ta bëjmë. Besojuni institucioneve dhe komunitetit shkencor. Më lejoni të falënderoj të gjithë komunitetin shqiptar në Itali. Mund të them se mes anekdotave të kësaj emergjence, është sigurisht edhe ajo e një prej infermierëve shqiptarë që zbriti dje nga avioni dhe nisi të më flasë në gjuhën napoletane, unë jam nga Napoli. Kishte kaluar shumë vite atje dhe ishte një ato pak motive për të buzëqeshur në këto ditë. /tvklan.al