Prokurorët në Shkup nisën hetime paraprake ndaj Presidentit George Ivanov për refuzimin e dekretit të marrëveshjes me Greqinë dhe ligjit për zyrtarizimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Procedurat që ka ndjekur kreu i shtetit do të verifikohen për të dyja rastet nëse ka shkelje të Kushtetutes.

Nga ana tjetër, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev parashikon se ndryshimet kushtetuese, që vënë në zbatim marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri shtetëror do të përmbyllen fillimin e vitit që vjen.

“Afatet përfundimtare janë përcaktuar qartësisht në rregullat e procedurës. Të gjitha vendimet duhet të merren brenda afateve dhe siç kemi planifikuar, ato do të miratohen në gjysmën e dytë të Janarit”.

Zaev i quajti të drejta kërkesat e opozitës shqiptare për përfshirjen në paketën e re kushtetuese edhe të ndryshimeve për ligjin që zyrtarizon shqipen. Por sipas tij, kjo është një çështje delikate që nuk mund të kushtëzojë integrimin e vendit në NATO e BE.

Tv Klan