Izraeli ka njoftuar zyrtarisht Kombet e Bashkuara se do të shkëpusë lidhjet me UNRWA-n, Agjencinë që mbështet refugjatët palestinezë.
Ky reagim erdhi pasi ligjvënësit izraelitë votuan për ta ndaluar këtë organizatë e cila ofron ndihmë për miliona palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Gazën.
“Me udhëzimin e ministrit të Jashtëm Izrael Katz, Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar OKB-në për anulimin e marrëveshjes mes Izraelit dhe UNRWA-s. Organizata punëtorët e së cilës morën pjesë në masakrën e 7 Tetorit është pjesë e problemit në Rripin e Gazës dhe jo pjesë e zgjidhjes”, tha Ministria e Jashtme izraelite përmes një deklarate.
Muajin e kaluar, Parlamenti i Izraelit miratoi vendimin për mbylljen e operacioneve të UNRWA-s në Izrael dhe në Jerusalemin Lindor, pavarësisht dënimit nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë nga aleati Uashingtoni. Nëse zbatohet ndalimi i agjencisë së OKB-së do të jetë një goditje për punën humanitare në Gazë. Ministri i Jashtëm Izraelit ka hedhur poshtë këto argumente, duke thënë se vetëm një pjesë e ndihmës është dërguar në Gazë nga UNRWA.
Nga ana tjetër Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se situata në Gaza mund të përkeqësohet pasi forcat izraelite vazhdojnë të kufizojnë hyrjen e ushqimit dhe furnizimeve të tjera në enklavë.
Për palestinezët ofensivat e reja ajrore dhe tokësore dhe evakuimet e detyruara janë “spastrim etnik” që synon zbrazjen e dy qyteteve veriore të Gazës dhe një kamp refugjatësh të popullsisë së tyre.
Ndërkaq ushtria izraelite kreu një sulm tokësor në Libanin jugor, ndërsa në vetëm 24 orët e fundit janë vrarë 18 persona dhe janë plagosur 83.
Klan News