Një sulm ajror izraelit ndaj një kampi me tenda jashtë një spitali në Gazën qendrore, ka lënë të vrarë 2 palestinezë dhe ka plagosur 15 të tjerë. Sulmi goditi disa tenda në spitalin Al-Aksa në Deir al-Balah, ku mijëra persona për muaj të tërë po strehohen pasi janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës në pjesën tjetër të territorit. Gazetarët që punojnë nga tendat afër ishin dëshmitarë të sulmit. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë sulm.
Dhjetëra-mijëra persona janë strehuar në spitalet në Gazë që nga nisja e luftës, duke i parë këto objekte si relativisht të sigurta nga sulmet ajrore. Izraeli akuzon Hamasin dhe grupet e tjera militante se operojnë në dhe përreth ndërtesave shëndetësore. Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë dhjetëra luftëtarë, përfshirë edhe operativë të lartë të Hamasit.
Familjet palestineze që janë larguar nga zona, përfshirë edhe ata që paraprakisht ishin zhvendosur për shkak të luftës, thanë se janë urdhëruar që të largohen për në jug nga ushtarët izraelitë pas ditësh luftime të ashpra. Vetëm një e treta e spitaleve në Gazë funksionojnë pjesërisht, edhe pse sulmet izraelite vrasin çdo ditë dhjetëra persona. Mjekët kanë thënë se shpesh detyrohen të trajtojnë pacientët në dyshemetë e spitaleve, sepse nga spitalet janë marrë shtretërit dhe nuk ka pajisje të duhura mjekësore./REL