Një sulm izraelit në zonën Kola të Bejrutit në kryeqytetin libanez përtej periferive jugore, vrau tre anëtarë të grupit të “Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës”.
Hamasi në një deklaratë bëri të ditur se edhe udhëheqësi i saj në Liban, Fateh Sherif Abu el-Amin u vra, së bashku me gruan, djalin dhe vajzën e tij, në një sulm që shënjestroi shtëpinë e tyre në një kamp refugjatësh palestinezë në qytetin jugor Tire në orët e hershme të së hënës.
Sulmi në zonën Kola të Bejrutit është një sulm i madh izraelit për sa i përket vendndodhjes. Kjo është hera e parë që goditet një zonë në kryeqytet. Sulmet e mëparshme ishin në periferitë e saj jugore dhe për shumë analistë kjo tregon se Izraeli, shumë i fuqizuar po vepron kudo dhe se nuk ka vija të kuqe.
Ndërkaq autoritetet libaneze kanë bërë të ditur se të paktën 105 njerëz u vranë në sulmet izraelite dhe mbi 359 u plagosën të dielën. Izraeli e ka zgjeruar gjithashtu fushatën e tij ku kreu sulme ajrore kundër Houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Houthi tha se të paktën katër u vranë dhe 29 u plagosën në sulmet ajrore në portin e Hudaydah. Më shumë se 1,000 libanezë janë vrarë dhe 6,000 janë plagosur në dy javët e fundit. Kryeministri i Libanit ka bërë të ditur se një milion njerëz rreth një e pesta e popullsisë kanë ikur nga shtëpitë e tyre.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Liban, por gjithashtu kanë autorizuar ushtrinë e saj të jetë e pranishme në rajon. Presidenti i SHBA Joe Biden, i pyetur nëse mund të shmanget një luftë gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme, tha “Duhet të ndodhë.” Ai tha se do të zhvillojë bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Klan News