Fitorja e Donald Trump kundër Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale po rezulton jo vetëm politike, por edhe ligjore. Prokurori i Posaçëm Jack Smith i kërkoi Gjykatës Federale të hënën që të pushojë çështjen ndaj ish-Presidenti Donald Trump me akuzën për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Smith citoi praktikën e hershme të Departamentit amerikan të Drejtësisë, e cila i mbron presidentët në detyrë nga ndjekja penale. Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, prokurorët shprehen se sipas Departamentit të Drejtësisë, “Kushtetuta kërkon që kjo çështje të pushohet përpara se i pandehuri të fillojë detyrën”. Ndaj çështja duhet të pushojë përpara 20 Janarit, betimit të Trump si President.
Një zëdhënës i presidentit të zgjedhur Trump, e cilësoi këtë vendim si një fitore historike. Sakaq prokurori special ka bërë të ditur se do të kërkojnë pushimin e çështjes tjetër ndaj Trump edhe për dokumentet klasifikuara që iu gjetën në rezidencën e tij, pas largimit nga detyra.
Ky vendim shënon fundin e një përpjekjeje historike të Departamentit të Drejtësisë për ta mbajtur përgjegjës Trump, për atë që prokurorët e quajnë komplot për të mos u larguar nga pushteti, që kulmoi me sulmin e mbështetësve të tij ndaj ndërtesës së Kongresit më 6 Janar të vitit 2021.
Tv Klan