Jo vetëm Fredi Beleri fiton nga burgu, por edhe Ilaria Salis. Mësuesja 39-vjeçare e shkollës fillore e cila është në gjyq në Hungari, u arrestua në shkurt të vitit të kaluar në Budapest si pjesëmarrëse në një protestë në krah të një grupi anti-fashistësh që u përleshën me radikalë të djathtë. Fitoren e saj e konfirmoi partia “Aleanca e Majtë e Gjelbër” në Itali që e vendosi atë në mesin e kandidatëve të saj.
Shoqërimi me pranga i 39-vjeçares në sallën e gjyqit në fillim të këtij viti tensionoi marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Italisë. Për këtë rast ndërhyri personalisht kryeministra Giorgia Melonii, partia e së cilës do të jetë përcaktuese e strukturave të reja të Parlamentit Evopian. Kjo falë rezultateve shumë të mira të këtyre zgjedhjeve.
Ajo çfarë ishte risi tjetër ishte zgjedhja e Melonit që në fletën e votimit të shkruhej vetëm emri dhe jo mbiemri i saj. Një tregues i një politike gjithnjë e më personale, ku votuesi identifikohet me liderin. Edhe njëherë tjetër procesit zgjedhor nuk i munguan ato momente që tërhoqën vëmendjen dhe u komentuan për veçantinë e tyre. Disa votues shkuan në qendrat e votimit me kafshë shtëpiake, disa me biçikleta, e të tjerë edhe me traktorë siç ndodhi në Greqi.
Nuk munguan as këto momente si ai i kryeministrit belg Alexander De Crooka i cili mes lotësh njoftoi se do të jepte dorëheqjen pas humbjes së rëndë që partia e tij pësoi në zgjedhjet evropiane.
Ajo çfarë ra në sy tjetër ishte fakti se nëse në shumicën e vendeve evropiane trendi i rritjes së mbështetjes për të djathtën ekstreme vijoi, në ato nordike ndodhi diçka tjetër. Mbështetja për të majtën dhe “të gjelbrit” u rrit.
Klan News