Nga Madridi, ku u prit nga mbreti Felipe VI, Kryeministri Edi Rama foli në një intervistë për gazetën më të madhe spanjolle “El Mundo”. Sipas gazetës spanjolle, kryeministri i bën thirrje Evropës që të zbatojë një politikë të përbashkët migracioni, të mbrojë kontrollin e kufijve, por edhe të hapet ndaj imigracionit legal.
Për planin e migrimit të Melonit, të cilën e quan “motra ime italiane”, Rama thotë se “duhen pyetur italianët. Ne përgjigjemi kur ata na kërkojnë ndihmë”, shkruan Virginia Hernandez, e cila ka intervistuar kreun e qeverisë shqiptare.
“Ju duhet të pyesni italianët, nuk më takon mua të them se çfarë do të ndodhë. Ne nënshkruam marrëveshjen dhe është Italia që e zbaton, sepse ne nuk jemi pjesë e saj. Ne thjesht përgjigjemi kur fqinji ynë na kërkon ndihmë. Evropa duhet të zbatojë një politikë të përbashkët migracioni, e cila shmang përdorimin politik, dhe të mbrojë kontrollin kufitar, por edhe të hapet ndaj imigracionit legal”, tha Edi Rama.
Rama shprehet i rezervuar të komentojë vendimet e fundit të Trump, që prekin edhe Shqipërinë siç është ai për pezullimin e ndihmës së huaj, ndërsa lë të hapur derën për afganët që po qëndrojnë në Shqipëri.
“Nuk do të ketë asnjë problem me refugjatët afganë që jetojnë në Shqipëri. Nëse duan të qëndrojnë në vendin tonë, mund ta bëjnë këtë, nuk mund të kthehen në vendin e tyre dhe të ndalojnë dhunën. Këto nuk janë shifra të mëdha për ne, janë vetëm disa qindra njerëz”, tha Rama.
Pret që të qartësohet edhe plani i Trump për Gazën.
“Nuk kam asnjë koment për këtë. Mendoj se plani duhet të qartësohet, të kuptohet dhe të harmonizohet me të gjithë aktorët e tjerë. Është ende herët”, tha Edi Rama.
Optimist është për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Negociatat me BE-në po shkojnë shumë mirë, ne po punojmë shumë për ta arritur këtë. Ne kemi një plan shumë ambicioz së bashku me Komisionin Evropian deri në vitin 2027 për të ecur përpara në anën politike dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit, gjë që nuk është e lehtë të thuhet në këto kohë kur diçka ndodh çdo ditë, Shqipëria mund të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030”, tha Rama.
Një koment e ka edhe për zgjedhjet në Kosovë.
“Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me shumë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. E uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë. Kosovarëve u uroj gjithë të mirat për çfarëdo vendimi që do të marrin”, tha Edi Rama.
I pyetur për protestat dhe krizën politike në Serbi, Rama ka një mesazh për opozitën e këtij vendi.
“Problemi që kam me opozitën serbe është, pa hyrë në dinamikën e politikës së brendshme, se ajo nuk duket më pro evropiane apo pro perëndimore se sa presidenti. Sa i përket Kosovës, ata nuk duket të jenë më përparimtarë. Për pjesën tjetër, nuk është rasti im të komentoj, sepse është çështje e brendshme e Serbisë. Por, unë besoj dhe shpresoj se në fund dialogu do të duhet të mbizotërojë. Sepse marrja me forcë e një qeverie nuk duhet të ndodhë kurrë në tokën evropiane”, tha Rama.
Gazeta më e madhe spanjolle vlerëson ndër të tjera mënyrën entuziaste se si Rama promovon vendin e tij, një destinacion turistik që ka ardhur në rritje vitet e fundit dhe me të cilin bën shaka duke thënë se “është po aq e bukur sa Spanja, por më e lirë”.
Në këtë intervistë Kryeministri Rama bëri të ditur se brenda pak ditësh do të mbyllet edhe Tik Tok, e cila sipas tij do të rihapet nëse platforma plotëson kërkesat e qeverisë shqiptare.
Klan News