Mes urimeve të shumta pas fitores historike, edhe Presidenti Joe Biden telefonoi presidentin e zgjedhur Donald Trump për t’i uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe e ftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë tha nëpërmjet një deklaratë se Biden gjithashtu u angazhua “për të siguruar një tranzicion të qetë dhe theksoi rëndësinë për të bashkuar vendin”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka folur gjithashtu edhe me kandidaten demokrate Kamala Harris.

Biden do t’i drejtohet kombit këtë enjte. Donald Trump po përgatitet të zgjedhë ekipin e tij kryesor përpara kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, pasi Kamala Harris u zotua për një “transferim paqësor të pushtetit”.

Gjithashtu Trump u zotua se do ta bëjë Amerikën përsëri të madhe. Presidenti i zgjedhur fitoi Karolinën e Veriut, Xhorxhian, Pensilvaninë dhe Wisconsin, ndërsa Nevada dhe Arizona janë dy shtetet e lëkundura që kanë mbetur edhe për të deklaruar rezultatet e tyre. Aktualisht, me 94% të votave të numëruara, Trump ka 51.0% dhe Kamala Harris ka 47.2% në Nevada.

Klan News