John Ratcliffe, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA, ishte i rradhës teksa u përball me pyetje në Senat. Ai u shpreh se Agjencia Kryesore e Spiunazhit duhet të bëjë një punë më të mirë për t’u dalë përpara kërcënimeve globale që vijnë nga Rusia, Kina dhe vende të tjera kundërshtare.
“CIA tani nuk është aty ku supozohet të jetë. Por si në mandatin e parë të presidentit Trump si drejtor i inteligjencës edhe tani unë në këtë pozicion do të jepja të njëjtën siguri”, tha Ratcliffe.
Ai u shpreh gjithashtu se është i bindur se Shtetet e Bashkuara mund të kundërshtojnë Rusinë dhe Kinën, u zotua të shqyrtojë nëse personeli amerikan është në shënjestër të ndonjë sulmi kibernetik nga kundërshtarët.
“Zotimi im është ta shqyrtoj atë. Padyshim, ne duhet të dimë nëse kemi një kundërshtar që po përdor një armë kundër popullit tonë”, tha Ratcliffe.
Mes të tjerash, Ratcliffe, u tha senatorëve se agjencia e zbulimit do të bënte më shumë për të shfrytëzuar teknologji si inteligjenca artificiale dhe kompjuterët kuantikë ndërsa do të zgjeronte aftësitë e agjencisë për të mbledhur më shumë të dhëna nga burimet njerëzore.
Anëtarët e komitetit republikanë dhe demokratë shprehën shqetësimin se analizat e inteligjencës janë të ndikuar nga politika. Duke iu përgjigjur pyetjeve Ratcliffe u zotua të disiplinojë çdo punonjës të CIA-s që do të synojë të politizonte inteligjencën.
Trump ka pasur një marrëdhënie jo shumë të mirë me agjencitë e inteligjencës amerikane, përfshirë CIA-n, lidhur me gjetjet se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 për të ndikuar në zgjedhjen e tij. Agjencitë e Inteligjencës arritën vlerësime të ngjashme për zgjedhjet e 2020 dhe 2024.
Thirrjet për ndryshime gjithëpërfshirëse i kanë shqetësuar disa zyrtarë aktualë të zbulimit dhe disa që kanë punuar në këtë fushë në të kaluarën, të cilët thonë se ndryshimet mund ta bëjnë vendin më pak të sigurt. Nëse miratohet, Ratcliffe do të zëvendësojë drejtorin në largim të CIA-s, William Burns.
Klan News