Shtohen përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian për të gjetur sa më tepër mbështetje brenda vendeve anëtare dhe nga SHBA, për strategjinë e re të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor, e cila publikohet të martën në Strasburg.

Sipas gazetës EU Observer, vetë presidenti i Komisionit Evropian Juncker, më datë 26 Shkurt do të vizitojë njëra pas tjetrës Tiranën, Beogradin, Shkupin, Podgoricën, Sarajevën dhe Prishtinën për t’u bërë të qartë liderëve lokalë që viti 2025 është pikë reference si objektiv i mundshëm anëtarësimi për këto shtete. Në këtë mënyrë shuhen shpresat e ballkanasve që të dëgjojnë data konkrete për secilin shtet në rrugën e anëtarësimit.

Strategjia e re parashikon vlerësimin e secilit shtet mbi bazën e arritjeve konkrete sidomos në Reformën në Drejtësi dhe standardet ekonomike. Në 24 orët e fundit Komisioneri Hahn po zhvillon takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane në përpjekje për ta kthyer vëmendjen e presidentit Trump nga mbështetja financiare për Ballkanin.

Klan Plus