Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj thotë se ka 14 vjet përvojë politike dhe ka nisur angazhimin kur ishte në shkollë të mesme.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Cakaj u shpreh se fillimisht e ka nisur këtë karrierë duke bërë analiza dhe shkrime politike në gazeta.

Blendi Fevziu: Sa vjeç jeni?

Gent Cakaj:

Unë jam 28 vjeç me 14 vjet përvojë politike. Angazhimet e para politike i kam pasur në shkollën e mesme. Fillimisht me publikimin e shkrimeve politike nëpër gazeta ditore në Kosovë. Në moshën 15-vjeçare kam filluar aktivizimin politik si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosja në Prishtinë dhe kam vendosur të jem pjesë e saj deri në moshën 18-vjeçare. Unë jam rritur në periudhën e tranzicionit. Me origjinë jam nga Gjakova dhe jam rritur në Prishtinë.

Ministri i Jashtëm pohoi se disponon 3 diploma në Master, studime që i ka ndjekur në 3 vjet.

“Unë kam studiuar Filizofi dhe Juridik në Prishtinë në mënyrë paralele. Pastaj kam vazhduar me studimet në Belgjikë. Kam mbaruar dy Mastera. Masteri im i parë është në Filozofinë antike. Tre Mastera në 3 vjet. Mbaj përgjegjësi të plotë dhe të gjitha lajmet që kanë qarkulluar për falsifitetin e Masterit tim janë të verifikueshme”.

Në lidhje me angazhimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, Cakaj deklaroi se në atë periudhë ka qenë krenar që ka qenë pjesë e saj, teksa pohoi se me disa prej anëtarëve të asaj partie mban kontakte miqësore edhe sot.

“Jam tepër krenar që kam qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosja. Unë kam qenë Vetëvendosja dhe ajo tregon shpirtin tim pasionant. Kam komunikim miqësor me disa prej tyre. Unë nuk kam ardhur thjesht nga Kosova për t’u bërë ministër. Unë kam qenë pjesë e skuadrës së Kryeministrit Edi Rama”.

Ministri i Jashtëm në detyrë ka treguar edhe si ka përjetuar luftën në Kosovë, kur familja e tij u nda.

“Familja u nda gjatë luftës dhe unë përfundova në Strugë. Babai im mbeti në Prishtinë dhe pjesa tjetër e familjes ka jetuar në Strugë. Më kujtohet në atë kohë shija e hidhur e jetës. Jeta në rutinë, paniku bëhet i zakonshëm. Lojërat ndërpreheshin kur binte telefoni”. 

/

tvklan.al