Në orën 07:55 të mëngjesit të sotëm 16 emigrantë kanë mbërritur në portin e Shëngjinit. 10 prej tyre bangladeshas e 6 të tjerë nga Egjipti. Gazetari Besar Bajraktaraj ka dhënë disa detaje për “Opinion” sa i takon kampit në Gjadër dhe gjithë procedurës që nga pritja e deri te akomodimi i emigrantëve.


Kampi në Gjadër ka kapacitet për 3 mijë persona, por brenda tij ka edhe ambiente burgu. Sipas gazetarit, 24 orët e para ata i nënshtrohen intervistave, u jepet ushqim dhe kontrollohen për probleme të mundshme shëndetësore. E gjithë kjo procedurë kryhet në qendrën pritëse në Shëngjin, rreth 100 metra larg vendit ku ankorohet anija.

Pasi transportohen në kamp, ata qëndrojnë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil. Kjo periudhë pritjeje është parashikuar të zgjasë 28 ditë. Intervistimi do kryhet nga autoritetet italiane përmes video-call.

“E kanë të ndaluar të dalin nga ambientet e kampit, vetëm në rast të një procedure apo emergjence. Juridiksionin jashtë kampit e ka shtetit shqiptar”, u shpreh Bajraktaraj.

Duhet theksuar se refugjatët që do të mbërrijnë në Shqipëri, kapen në ujërat e Mesdheut.  

/tvklan.al