Në kampin e Gjadrit në Lezhë janë akomoduar 12 emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane. Ata ishin pjesë e kontingjentit të parë prej 16 azilkërkuesish që mëngjesin e së mërkurës mbërritën në portin e Shëngjinit me anijen “Libra” të marinës italiane.
Në orën 8 ajo u ankorua në port me 10 emigrantë me origjinë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, të gjithë të nisur nga Libia për në Itali.
Në Shëngjin ata iu nënshtruan menjëherë kontrollit të autoriteteve italiane, të cilët vendosën që 4 prej tyre t’i dërgojnë në Itali. Kjo pasi 2 prej tyre rezultuan të ishin minorenë, ndërsa 2 të tjerë kishin probleme shëndetësore.
Siç duket në këto pamje ata janë shoqëruar nga forca të Guardia di Finanza.
E gjithë procedura është realizuar nga pala italiane, që nga marrja e të dhënave dhe kontrolli paraprak i dokumentacionit.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministrat Rama e Meloni në nëntor të vitit të kaluar, 12 personat e tjerë do të qëndrojnë deri në 30 ditë në kampin e Gjadrit, në pritje të përgjigjes për të marrë ose jo statusin e azilantit nga shteti italian.
Në rast se kërkesa u refuzohet, duhet të kthehet sërish në vendet e origjinës, një operacion që do të kryhet po nga italianët.
Sipas marrëveshjes, në kampin e Gjadrit do të vendosen vetëm burrat që vijnë nga vende të sigurta origjine. Aktualisht Italia konsideron 21 kombësi si të tilla. Vitin e kaluar, më shumë se 56 mijë emigrantë mbërritën në Itali vetëm nga 4 prej tyre shteteve: Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia.
Modeli i marrëveshjes Shqipëri-Itali në fillim ndezi shumë debate në të dy shtetet, por dhe në gjirin e BE. Por kohët e fundit ajo po kërkohet të adoptohet dhe nga të tjerë vende europiane. Vetë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë javë si shembull suksesi dhe u bëni thirrje vendeve të Unionit ta shfrytëzojnë si model për të arritur marrëveshje për ngritjen e qendrave të tilla jashtë kufijve të Bashkimit Europian.
Tv Klan