Ish-futbollisti i Kombëtares, Edmond Kapllani, është i bindur se në formacionin e Shqipërisë nuk do të ketë ndryshime ndaj Gjeorgjisë. Referuar të kaluarës, Kapllani deklaroi në “Klan News”, se Silvinjo do të hedhë në fushë, të njëjtën 11-she si ndaj Ukrainës.

“Ndaj Gjeorgjisë mendoj se do të jetë i njëjti formacion. Jemi mësuar me Silvinjon që nuk ndryshon. Gjeorgjia mbrohet shumë mirë dhe kundërsulmin e ka shumë të rrezikshëm. Gjeorgjia vjen me personalitet dhe me euforinë e Europianit. Janë dy skuadra me eufori të lartë. Nëse japim maksimumin si me Ukrainën, mund të bëjmë mirë. Statistikat i kemi në favor, por këto ndonjëherë të gënjejnë. Unë pres që skuadra të japë maksimumin, siç bëri ndaj Ukrainës.”

Kapllani deklaroi se ndeshja e së martës, do të jetë ndryshe nga ajo me Ukrainën, duke theksuar se Gjeorgjia është shumë e rrezikshme në kundërsulm.

“Ndeshja me Gjeorgjinë do të jetë ndryshe nga Ukraina. Gjeorgjia është tjetër, është e njëjta skuadër si në Europian. I njëjti motivim dhe forcë. Duhet të kemi shumë kujdes nga kundërsulmet e Gjeorgjisë.

Shqipëria dhe Ukraina luajtën me të njëjtin sistem, ndërsa Gjeorgjia është ndryshe.  Shpresat na i jep skuadra dhe trajneri. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Botërorin e kemi objektiv dëshirë. Duhet t’i shikojmë ndeshjet një nga një.

E nisëm mirë me Ukrainën, atë që ishte më pretendentja te grupi. Mund të marrim rezultate pozitive në këtë Ligë Kombesh. Çdo ndeshje është e rëndësishme.”, deklaroi Kapllani.

Sfida mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, do të luhet të martën e 10 shtatorit, në orën 20:45, ndërsa transmetohet në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al