Ministri aktual i financave Kastriot Islami, ka akuzuar kundërshtarin e tij në partinë socialiste dhe në veçanti ish ministrat për rezultate të dobta që prej kohës kur mori për sipër të drejtonte financat. Për paraardhësit e tij Islami tha se nuk kishin parashikuar objektiva realiste për vitin 2002, në veçanti për privatizimin e Albtelecom-it. Paaftësinë e kësaj ministrie Islami e ka arsyetuar me informacionet e manipuluara të medias dhe një pjese prej socialistëve.

Kastriot Islami: “Situata është mjaft komplekse, shpesh herë edhe ju kur merni lajme bëhet siç bënte Stalini me veprat e Leninit, merret vetëm ajo pjesë që ju intereson dhe thoni se i vetmi faktorë ishte x apo y. Programet e vitit 2002 kanë qënë jo realiste, dhe një nga pikat më jo realiste ka qënë se të ardhurat nga privatizimi i Albtelecom-it janë përfshirë në buxhetin e vitit 2003 dhe një nga detyrat që ka pasur qeveria Majko ka qenë që të bëjë shkurtimet e 10 miliardë lekëve që do të vinin nga Albtelecom, kjo kërkesë e bërë ateherë edhe nga përfaqësuesi i asaj kohe i fondit monetar kombëtarë, meqënëse nuk egzistonin garancitë që ky proces do të realizohej. Kjo ka qenë analiza e të gjitha ndryshimeve, ndërkohë që antarët e ish kabinetit ngulin këmbë që plani dhe objektivat e tyre ishin realiste”.

Islami është arsyetuar se planet e tijë kanë pasur edhe vulën e kryeministrit. Edhe drejtori i ri i doganave, Papadhima i është përgjigjur akuzave të politikanëve nga e majta në të djathtë. Ai ka pranuar një hetim të pavarur nga organet e drejtësisë për të vërtetuar pastërtinë e figurës së tij.

Ferdinand Papadhima: “Jam shumë i hapur për atë ç’ka thashë më përpara, mund ti drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjeni se nuk jam i dënuar dhe në qoftë se do ti besoni cv time, diku rreth viteve 80 më ka vënë polici 50 lekë gjobë se kemi qënë dy veta në bicikletë”.

Ndonëse drejtuesit aktual të financave kanë reklamuar të ardhura të larta gjatë muajit Janar, ato nuk kanë paraqitur përpara mediave asnjë dokument apo fakt që të pohonte këtë deklarim. /tvklan.al