Merita Halili një nga këngëtaret më të mira të muzikës popullore shqiptare ishte protagoniste e natës së dhjetë të spektaklit “Këngët e Shekullit”. Ajo çeli mbrëmjen me një potpuri sëbashku me grupin e Krujës.

“Ç’u dishrush me t’pa ty” dhe “Ku t’ka lala moj kumrie” ishin dy këngë të repertorit të Merita Halilit me të cilat ajo “ndezi” publikun.

Mbrëmja vijoi me dy këngë të tjera durrsake të titulluara “Vika deti tallaz tallaz” dhe “Ç’na çudite moj Nuri”.

E ftuara e parë e natës së dhjetë të edicionit të katërt ishte mbesa e këngëtares Ledia Halili e cila së bashku me Merita Halilin këndoi këngën “Te ullini po të pres”.

“Knon bylbyli te qershia” dhe “Jam bandill, bandill i fortë” ishin dy këngët e radhës që interpretoi Merita Halili.

Luan Hajra është një nga emrat më të respektuar të muzikës Kosovare që ka përcjellë ndër vite perla të muzikës tonë ndër të tjera “Mora mandolinën” dhe “Kallma cigaren”. Ai ishte i ftuar në “këngët e Shekullit” ku interpretoi sëbashku me Halilin një këngë elbasanase krijuar nga Isuf Myzyri, titulluar “Një lulishte me trëndafila”.

Një tjetër i ftuar i natës së dhjetë ishte edhe Raif Hyseni të cilët bashkë interpretuan “Kënga dhe Vallja e Mitrovicës”.

“Lule t’bukra ka Tirona” ishte kënga e radhës që interpretoi Merita Halili shoqëruar nga orkestra e “Këngëve të Shekullit” me të cilën mbylli edhe natën e dhjetë të edicionit të katërt.

 /tvklan.al