Pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi drejtpërdrejt Rusinë se do të përballet me taksa të larta, tarifa dhe sanksione nëse nuk i jep fund luftës në Ukrainë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kremlinit.
Për këta të fundit ky lloj kërcënimi nuk përbën asgjë e re. I pyetur për komentet e Trump, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti amerikan kishte aplikuar shpesh sanksione kundër Rusisë në mandatin e tij të parë si president.
“Ne nuk shohim ndonjë gjë të re këtu. Gjatë presidencës së tij të parë, Donald Trump, aplikonte më shpesh se kushdo tjetër metodat e sanksioneve. Ai është i dhënë pas këtyre metodave. Të paktën, atij i pëlqenin gjatë presidencës së tij të parë”, tha Dmitry Peskov.
Kremlini ka treguar gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve nga ku do të diskutohen edhe kushtet sipas realiteteve të reja.
“Ne mbetemi të gatshëm për dialog, Presidenti Putin ka folur vazhdimisht për dialog të barabartë. Ky dialog u mbajt mes dy liderëve gjatë presidencës së parë të Trump. Ne jemi duke pritur për sinjale që nuk kanë ardhur ende”, tha Peskov.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndërkohë ka përjashtuar lëshimet territoriale. Kievi ka kërkuar gjithashtu garanci sigurie nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara së bashku me vendosjen e trupave paqeruajtëse perëndimore, përfshirë ato amerikane.
Një veprim i tillë sipas Rusisë do të përshkallëzonte konfliktin.
Klan News