Një natë plot rrahje zemre dhe shumë dashuri kanë dhuruar në ditën e Shën Valentinit të rinjtë në Fier. Në teatrin Bylis të qytetit, qindra gjimnazistë morën pjesë në garën “Kërcimi i dashurisë”.
Pas 40 ditësh prova, të përgatitur nga koreografë profesionistë, për tre netë me radhë, garuesit ishin në çift duke performuar në zhanër të ndryshëm kërcimi.
“Mora pjesë dhe për veten time se më duket diçka e veçantë të kërcej edhe me dikë tjetër e të ndaj këtë eksperiencë”, tha njëra prej gjimnazisteve.
“Është shumë garë interesante, unë e kam edhe pasion kërcimin dhe prandaj dua ta ndjek këtë rrugë. Mora pjesë dhe vitin e kaluar, u kënaqa, e shijova shumë. Këtë vit e shijova akoma më shumë”, u shpreh një tjetër gjimnaziste.
Mesazhi i kësaj shfaqjeje ishte për t’i bërë bashkë të gjithë të rinjtë.
“Kërkova në çdo klasë për të gjetur një partnere, derisa e gjeta. Dhe pranojnë dhe nuk pranojnë, varet”, tha një gjimnazist.
“Ne e zgjedhim partnerin tonë”, u shpreh një nga gjimnazistet, e cila e pyetur nëse ekziston mundësia të ketë lindur ndonjë dashuri në dijeninë e saj, ajo u përgjigj: “Mes nesh jo, por mes çifteve të tjera mbase po”.
Ata thonë se festa është rritur çdo vit duke e çuar në vitin e 9- të garën. Gjimnazistët që morën pjesë ishin të talentuar në kërcim dhe në disa raste edhe të dashuruar pas tij. Salla e teatrit Bylis ishte e mbushur plot me spektatorë të cilët duartrokitën çiftet garuese pas prezantimit të kërcimit.
Familjarët kanë qenë mbështetësit e parë që i kanë motivuar nxënësit. Disa prej tyre kërkojnë ta vazhdojnë kërcimin përtej një aktiviteti të tillë.
Ky aktivitet është organizuar nga Bashkia e Fierit për të 9-in vit radhazi.
“Kërcimi i dashurisë është shtrirë përtej kufijve të Fierit, edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë. Është viti i 9-të që organizohet kërcimi i dashurisë dhe në të marrin pjesë mbi 100 të rinj të cilët nuk kanë lidhje me kërcimin, por përgatitet për 40 ditë nga koreografët më të mirë të Bashkisë Fier”, u shpreh drejtoresha e përgjitshme e Artit dhe Kulturës në Fier, Adriana Mile.
Për herë të parë, këtë vit në garë u përfshinë gjimnazistë nga i gjithë vendi. Dhe në fund, lule dhe dashuri urojnë këta adoleshentë për bashkëmoshatarët e tyre.
Klan News