Kryeministri i vendit, Edi Rama, thotë se e mbështet plotësisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, një vendim që e konsideron më mirë të vonuar se sa kurrë.

Në një postim në rrjetin social “X”, Kryeministri Rama inkurajon lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët e përbashkët për të demonstruar se Kosova është një partner i matur dhe i besueshëm i Komunitetit Euroatlantik.

“E mbështes plotësisht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit; më mirë vonë se kurrë.  E inkurajoj lidershipin e Kosovës që të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët për të demonstruar se Republika e Kosovës është me të vërtetë një partner i matur dhe i besueshëm i Komunitetit Euroatlantik”, shkruan Rama.

Sjellim në vëmendje se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës gjatë ditë së sotme, Kryeministri Kurti ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në Prill./tvklan.al