Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka thënë gjatë një konference në Kryesinë e Kuvendit se anulimi i mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të diskutuar për heqjen e imunitetit të deputetit Alqi Bllako, është antiligjore. Sipas Alibeajt, Këshilli do duhet që të analizojë kërkesën e SPAK.

“Ende nuk ka shkuar ora 18:00. Në mënyrë të habitshme për këdo, edhe për ne, anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në adresat tona elektronike vjen një njoftim sipas të cilit kryetarja e Kuvendit, në mënyrën më të habitshme thashë unë, por në mënyrën më antiligjore të mundshme, në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e vendosur, vendos anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

E çuditshme, e padëgjuar, në shkelje të kompetencave që kryetari i Kuvendit ka. Nga momenti që Kryetari i Kuvendit thërret Këshillin e Mandateve kompetenca i takon këtij këshilli. Është këshilli që do duhet të analizojë kërkesën e SPAK, kërkesën e prokurorisë. Është këshilli ai që vendos dhënien e autorizimit ose jo. Pra heqjen e imunitetit ose jo”, tha Alibeaj.

Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Alibeaj tha se nuk ishte e habitshme që mbledhja u anulua  pasi kështu pengohet drejtësia që të bëjë punën e vet. Sa i përket dorëheqjes së vetë deputetit nga mandati, Alibeaj tha se, “Është e drejta e tij të japë dorëheqjen, por kjo nuk ndikon në detyrimin që kanë deputetët anëtarë të Këshillit për t’u shprehur për kërkesën e prokurorisë”.

Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, SPAK pret një përgjigje nga Kuvendi i Shqipërisë në lidhje me kërkesën që ka bërë për autorizimin e arrestimit të deputetit Alqi Bllako.  

“SPAK pret një përgjigje nga Kuvendi i Shqipërisë, nga këshilli i mandateve. Pret që ky kuvend të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë dhe pret një përgjigje. Vetëm në këtë mënyrë kuvendi nuk bëhet pengesë për hetimet”, u shpreh Alibeaj.

Kërkesa e SPAK për Alqi Bllakon, 5 deputetë të PD-së kërkojnë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Disa deputetë të Partisë Demokratike i kanë kërkuar kryetares së Kuvendit që të zhvillohet mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Alqi Bllakos.

“Në mbështetje të nenit 13, pika 6 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e mërkurë, datë 30.03.2022, ora 18:00 për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me shkresën nr. 1274 prot., datë 29.03.2022, për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Alqi Bllako, së bashku me relacionin përkatës të arsyetuar”, thuhet në letër.

Kërkesa e PD-së është nënshkruar nga 5 deputetë, Ervin Salianji, Greta Bardeli, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe Enkelejd Alibeaj./tvklan.al