Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në interpelancën me Enkelejd Alibeajn foli me shifra për të gjithë përfituesit e aministisë që kanë lënë qelitë e burgut që ditën e parë që ligji hyri në fuqi, por dhe për ata që po vazhdojnë të përfitojnë prej saj për shkak të uljes së dënimit.
Ministri pranon se nga ligji që u votua pas bashkimit të votave të socialistëve dhe demokratëve të Rithemelimit, përfituan dhe 18 të dënuar nga Gjykata e Posaçme antikorrupsion, 10 prej të cilëve për vepra që s’kishin lidhje me korrupsionin, ndërsa 8 të tjerët me emra rast pas rasti, Manja shpjegoi përse përfituan.
Për Alibeajn, ministri i Drejtësisë pranoi atë për të cilën grupimi ku ai bën pjesë kishin përsëritur se do të ndodhte, që amnistia sipas tij po bëhej për të liruar të korruptuarit e pushtetit.
Për SPAK-un dhe hetimet e tij ligjëvënësit debatuan dhe kur diskutuan për marrëveshjen me KFW për financimin e linjave të gjelbra të autobusëve në kryeqytet. Opozita shprehu votën kundër pasi nuk kanë besim se këto para nuk do të vidhen siç ndodhi sipas tyre me dosjen 5D në Bashkinë e Tiranës.
Ndërsa socialistët nxituan t’ju kujtojnë se prezumimi i pafajësisë deri në përfundim të hetimeve është e drejtë e çdokujt.
Marrëveshja e huasë me KFW në vlerën e 50 milionë Eurove është vetëm një pjesë e shumës prej 110 milionë Euro që kushton i gjithë projekti për futjen e autobusëve elektrike në linjën e autobusëve të unazës, Kombinat-Kinostudio dhe Tiranës së Re. Pjesa tjetër financohet nga vetë bashkia dhe fondet e Bashkimit Europian.
Tv Klan