Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka lëshuar një deklaratë të rrallë personale në të cilën ka kërkuar falje për vrasjen e një zyrtari të Koresë së Jugut.
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, në mesazhin e dërguar nga Kim për homologun e tij të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, thuhej se “kjo ishte një çështje e turpshme” dhe nuk duhet të kishte ndodhur asnjëherë.
Një zyrtar nga Presidenca e Koresë së Jugut, deklaroi se: “Kim Jong-un ndihet shumë keq për incidentin e papritur, dhe shpreh keqardhje për zhgënjimin që i shkaktoi Presidentit Moon Jae-in dhe qytetarëve të Koresë së Jugut”.
Ushtria e Koresë së Veriut në fillim të javës së kaluar qëlloi dhe vrau një zyrtar të Ministrisë së Oqeaneve dhe Peshkimit të Koresë së Jugut, i cili kishte hyrë në ujërat territoriale pranë kufirit verior.
Kjo ishte vrasja e parë prej një dekade e shkaktuar nga forcat e Koresë së Veriut kundrejt një qytetari nga Korea e Jugut dhe gjithë kjo ngjarje ka shkaktuar zemërim të madh në Jug.
Kufiri midis dy Koreve ka një mbrojtje shumë të fortë policore dhe mendohet se që nga pandemia e Covid-19, Veriu të ketë zhvilluar një politikë të quajtur “qëllo për vrarë”, duke e menduar si metodë për të parandaluar hyrjen e virusit në vend./tvklan.al