Koreja e Jugut ka shprehur keqardhjen që delegacioni i sportistëve të saj gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit u prezantua si nga Koreja e Veriut.

Komiteti Olimpik koreano-jugor ka kërkuar garanci nga organizatorët se gabimi nuk do të ndodhë më.

Ndërsa anija me sportistë të Koresë së Jugut lundronte në Senë, spikeri i prezantoi ata si “Republika Popullore Demokratike e Koresë”, emri zyrtar i Koresë së Veriut.

Por folësi përdori të njëjtin emërtim edhe kur kaloi delegacioni i Koresë së Veriut.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar tha se incidenti ishte një gabim dhe kërkoi thellësisht falje në gjuhën koreane në profilin zyrtar në Twitter.

Delegacioni i Koresë së Jugut përfshin 143 sportistë që garojnë në 21 disiplina të ndryshme.

Ndërsa Koreja e Veriut, e cila rikthehet në Lojërat Olimpike për herë të parë që nga Rio 2016, ka dërguar 16 atletë.

Klan News