Një komunë suedeze po zbaton skemën e shitjes së tokës për çmimin e një filxhani kafeje. Götene, 200 milje në jugperëndim të Stokholmit, po shet parcela toke me çmime që fillojnë nga vetëm 9 Cent për metër katror.
Götene, një zonë rurale me 5,000 banorë që jetojnë në qytetin kryesor dhe 13,000 në komunën më të gjerë, është Suedia rurale në kulmin e saj. Ndodhet në brigjet e liqenit Vänern, jo vetëm liqeni më i madh i Suedisë, por edhe më i madhi në Skandinavi dhe në të gjithë BE-në.
Kjo zonë e Suedisë është gjithashtu shtëpia e dy vendeve të vlerësuara nga UNESCO: Gjeoparku Platabergens dhe Arkipelagu i Liqenit Vänern dhe Biosfera e Malit Kinnekulle.
Por pse një qytet me kaq shumë bukuri natyrore përreth, do të shiste kaq lirë tokën e tij?
Kryebashkiaku Johan Månsson thotë për CNN se kjo nismë ka ardhur pas rënies ekonomike dhe pakësimit të popullsisë në zonat rurale.
“Ne po shohim gjithashtu nivele të ulëta të lindjeve dhe një popullsi në plakje, kështu që duhet të bëjmë diçka, të sjellim më shumë njerëz këtu”, thotë ai.
Månsson shton se ata kanë vendosur të shesin 30 parcela për një tarifë mjaft simbolike duke zgjedhur tokën që kishte qenë në treg për shumë vite pa u shitur.
Skema filloi muajin e kaluar me rreth 30 blerës të interesuar, tha Månsson. Sipërfaqja e parcelës varionte nga 700-1200 metra katrorë. Kërkesa e vetme është që ndërtimi i shtëpisë të fillojë brenda 2 viteve nga blerja e parcelës./tvklan.al