Opozita dhe mazhoranca e zhvendosi debatin për reformën zgjedhore nga Grupi i Dialogut në seancën parlamentare. Teksa opozita këmbëngul për koalicionet parazgjedhore, Damian Gjiknuri tha se pret që deri përpara seancës së fundit të këtij sesioni opozita të heqë dorë nga kushtet, pasi socialistët javën e ardhshme do të depozitojnë dokumentin me propozimet e tyre.

Damian Gjiknuri, deputet i PS: Nuk kryhet negociatë me kushtet që i ke në kokë. Kush ka mend përshtatet, ai që do të luftojë natyrën dihet se si përfundon. Kështu që unë iu ftoj të gjithëve dhe shpresojmë që në javët e fundit të gjejmë kompromis.

Demokrati Oerd Bylykbashki bëri të qartë se opozita nuk do të tërhiqet, ndërsa kërkon që mazhoranca të pranojë kërkesën e tyre që t’i hapet rruga sipas tij rotacionit politik .

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Kërkojmë që të ruhet ajo që kishim rëndë dakord. Ka një hall të vetëm Edi Rama, nëse kjo ndodh, ka hallin që kjo sjell rotacion.  

Si përgjigje për opozitën, Gjiknuri zbuloi disa nga pikat që PS sheh si prioritet për të ndryshuar në kodin zgjedhor që vijnë si rrjedhojë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë dhe krijimin e mundësive për votën e diasporës në zgjedhjet e ardhshme.

Damian Gjiknuri, deputet i PS: Ku do të llogaritet vota në çdo qark, pra vota e çdo qytetari që jeton jashtë vendit do të llogaritet në qarkun ku ai është rezidenti i fundit. Diaspora ka kërkuar që të lehtësoheshin procedurat e regjistrimit si votues nga jashtë dhe kemi bërë që nëpërmjet teknologjisë nga KQZ-ja regjistrimi të jetë automatik dhe në gjendjen civile, modalitete që duhet t’i adresojë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.   

Por, në një kohë që mazhoranca shprehet e gatshme për të çuar përpara krijimin e kushteve për votën e emigrantëve, demokratët akuzojnë socialistët se e kanë çuar me qëllim në dështim procesin e regjistrimit të emigrantëve.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Frika juaj është që ju fluturoni nga karriget nëse ata votojnë të lirë.

Data 24 Korrik është afati i fundit për të bërë ndryshimet në kod elektoral. Por nëse propozimet e bërë për ndryshimet e kodit nuk marrin votat e mjaftueshme gjatë kësaj kohe, rruga më e realizueshme për zgjedhjet e ardhshme është shkuarja me ligjin aktual zgjedhor.

Klan News