Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e bërë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që kërkonin shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 4 Gushtit për Bashkinë e Himarës.
Kolegji ka vendosur unanimisht të lërë në fuqi vendimin e KAS që njohu fitoren e kandidatit socialist Vangjel Tavo.
Opozita kërkoi pavlefshmëri të zgjedhjeve duke ngritur pretendimin se 6 mijë qytetarë nuk mundën të votonin për shkak të dokumenteve të skaduara. Një tjetër akuzë ishte se u shtuan fiktivisht 300 votues të rinj nga bashkitë e tjera.
Tavo fitoi me rreth 1500 vota diferencë ndaj rivalit të opozitës Petro Gjikuria.
Himara shkoi në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli të pavlefshëm mandatin e fituesit Fredi Belerit.
Gjykata e Apelit të Posaçëm e shpalli fajtor për korrupsion në zgjedhje duke e dënuar me dy vite burg. Kur i kishin mbetur edhe 6 javë për të përfunduar dënimin, 52-vjeçari u lirua me kusht më 2 Shtator.
Klan News