Dëmtimet mbeten një problem edhe në kombëtaren shqiptare të 21-vjeçarëve. Kuqezinjtë e vegjël po përgatiten për sfidën e fundit kualifikuese të Euro2025 ndaj Armenisë. Jashtë kësaj përballje nuk do të jenë dy futbollistë si Ysni Ismaili dhe Ardit Nikaj.

Ismaili do të mungojë për arsye shëndetësore, ndërsa Nikaj ka pësuar një dëmtim në kavilje. Mungesa të rëndësishme për kombëtaren e 21-vjeçarëve, me trajnerin Alban Bushi që duhet të bëj llogaritë pa prezencën e tyre për duelin e së martës.

Pjesa tjetër e ekipit gëzon formë të mirë dhe po përgatiten intensivisht për sfidën ndaj Armenisë. Ndeshja Shqipëri U21 – Armeni U21 do të luhet më 15 tetor, filluar nga ora 18:00 dhe hyrja për të gjithë tifozët në stadiumin “Air Albania” do të jetë falas.

Një 90 minutësh që vlen thjeshtë për statistikë për kuqezinjtë e vegjël që e kanë humbur shansin për të shpresuar kualifikimin në kompeticionin që mbahet vitin e ardhshëm. Shqipëria e teknikut Bushi ka grumbulluar 13 pikë pas 9 sfidave, ndërsa Armenia qëndron e fundit në grup me vetëm 2 pikë.

Klan News