Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i dha të drejtën Shqipërisë të jetë një nga vendet organizatore të Europianit U-21 për vitin 2027, së bashku me Serbinë.

Ky turne, i cili do të zhvillohet në Qershor të vitit 2027, do të përfshijë 16 skuadra që përfaqësojnë talentet më të spikatura të futbollit të moshave në Europë, mes tyre edhe lojtarë që tashmë aktivizohen në ligat më të mira të kontinentit. Si një nga vendet pritëse, Shqipëria do të ketë për herë të parë mundësinë që të përfaqësohet me brezin e saj të ri të futbollistëve U-21 në një turne madhor ndërkombëtar.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka deklaroi se do të jetë më shumë se sa një turne futbollit. Sipas tij, Europiani U-21, do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë.

“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit. Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, u shpreh Duka.

Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.

/tvklan.al