Pak ditë para se të mbërrijë në Tiranë, Komisionerja e re për Zgjerimin, Marta Kos, tha se integrimi nuk është pronë e qeverisë, por në të duhet të përfshihet edhe opozita. Kos paralajmëroi takime edhe me kundërshtarët e qeverisë.
“Negociatat e anëtarësimit kërkojnë një përpjekje intensive nga e gjithë shoqëria, qeveria e vetme nuk mund ta bëjë këtë punë. Integrimi evropian duhet të jetë një projekt kombëtar, të gjithë duhet ta zotërojnë atë: parlamenti, opozita, shoqëria civile, çdo rajon, qytet dhe fshat, dhe në fund të fundit çdo qytetar. Kjo është arsyeja pse, kur të vizitoj Ballkanin Perëndimor do të përpiqem t’i takoj të gjithë. Duhet që të jemi të vetëdijshëm se zgjerimi nuk është vetëm një proces teknik, por bëhet fjalë për ribashkimin e kontinentit”.
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se deri në fund të mandatit të saj në vitin 2029, do të ketë anëtarësime të reja nga shtetet ballkanike. Ajo premtoi se do të bëjë gjithçka që mosmarrëveshjet dypalëshe nga e kaluara të mos bllokojnë qëllimit të përbashkët zgjerimin e Bashkimit Evropian.
“Ëndrra ime është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në BE. Pse të mos shohin heqjen e kufijve dhe te ndalen tensionet dypalëshe, siç ka ndodhur në kontinentin tone? Duke hequr barrierat fizike. të ndarjes, tensionet historike do të mbeten pas”.
Kos vlerësoi se çështja nuk është vetëm se kur do të ketë BE-ja anëtarë të rinj, por edhe çfarë mund të bëjmë për te patur një Evropë më të fortë dhe më të sigurt.
Klan News