Edhe pse doli kandidatja femër më e votuar në procesin e Primareve, deputetja e PD Jorida Tabaku u la jashtë listës së mbyllur të Tiranës. Në një postim në Facebook, Tabaku thotë se ka nisur një sfidë të re, “betejën për kryeqytetin në listë të hapur”.
“Në Partinë Demokratike asgjë nuk më është falur. Çdo betejë e kam fituar me punë dhe përkushtim, dhe ashtu do të ndodhë edhe tani! Do të jem në Parlamentin e ri për të përfaqësuar jo vetëm demokratët që më votuan, por edhe ata që ende nuk e shohin veten të përfaqësuar. Për një ekonomi më të mirë, për shtresën e mesme, për familjet shqiptare, për integrimin Europian dhe për luftën ndaj korrupsionit! Betejat nuk më trembin!
Nuk më trembi komisioni hetimor, as pronarët e inceneratorëve që sot janë në arrati apo në qeli. Nuk më trembi as beteja për profesionet e lira dhe të drejtat e qytetarëve. Ndaj nuk do të më trembë as kjo sfidë! Për mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë privilegj më të madh sesa të jem zëri i demokratëve dhe të vazhdoj t’ju përfaqësoj me dinjitet dhe vendosmëri!”, shkruan Tabaku.
Theksojmë se emrat e kandidatëve të vendosur në lista të mbyllura konsiderohen vende të sigurta për fitoren e mandatit.
/tvklan.al