Dy ditë më parë Komisioni Hetimor ka kërkuar nga kompanitë celulare tabulatet të disa prej personave më të rëndësishëm të shtetit shqiptar, siç janë presidenti, kryeministri, kryetarja e parlamentit, shefi i Shërbimit Sekret, Prokurorja e Përgjithshme, deputetët, si dhe gazetarët më të njohur në vend.
Komisioni Hetimor ka nisur dhe seancat pyetësore me drejtuesit e policisë dhe të gardës. Sot përpara komisionit ishte kryeministri, i cili foli për rreth 2 orë e 30 minuta. Nesër pritet të jetë në seancën pyetësore Ministri i Brendhsëm, pasnesër Prokurorja e Përgjithshme dhe kreu i Shërbimit Sekret, për të vijuar më pas me presidentin dhe kryetaren e Kuvendit.
Duket se tensioni vijon të mbetet mjaft i madh. Presidenti iu drejtua qytetarëve nëpërmjet një mesazh, ndërsa opozita ka anonçuar sërish një demonstratë ditën e premte në Tiranë dhe në 4 rrethe të tjera të vendit.
Për të diskutuar mbi të drejtën e Komisionit Hetimor për të hetuar çështjen që po hetohet nga prokuroria, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar kryetari i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi dhe juristi Ylli Manjani./tvklan.al