Trajneri i ri i Bayern Munich-ut, Vincent Kompany, tregoi se ai kërkon agresivitet dhe guxim nga lojtarët e tij në fushë. Belgu ka firmosur një kontratë deri në 2027 me gjigandët bavarezë, ndërsa mbylli bashkëpunimin me Bërnley, që ra nga Premier League.
Bayerni, kampion i Bundesligës në 11 sezonet e mëparshme, e përfundoi sezonin në vend të tretë pas Bayer Leverkusen dhe Stuttgart. Ekipi dështoi të fitonte trofe në shtëpi e Europë për herë të parë në një dekadë.
Në konferencën për shtyp, Kompany tregoi vizionin e tij për ekipin.
“Për mua është e thjeshtë! Mënyra se si stërvit është se cili je si person. Personaliteti im vjen nga fakti se jam rritur në rrugët e Brukselit, kam qenë në akademinë e Anderlehtit ku nga mosha gjashtë deri në 20 vjeç duhet të fitosh gjithçka. Unë dua që lojtarët e Bajernit të jenë vërtetë kurajozë me topin, të kenë personalitet. Unë dua që ekipi të jetë agresiv, pra të përfaqësojë këto dy gjëra!“
Kompany, i cili ka përvojë në Bundesligë pasi ka luajtur për Hamburgun dhe flet gjermanisht, i dha fund një kërkimi disamujor për pasardhësin e Tuchel. Bavarezët me herët diskutuan me emra si Xabi Alonso, Julian Nagelsmann dhe Ralf Rangnick, që vendosën të qëndronin me ekipet e tyre.
Klan News