Bayern Munich dhe PSG, do të përballen mes tyre në raundin e pestë në Ligën e Kampioneve. Për shkak të pozitave në renditje, të dyja ekipet e kanë detyrim fitoren.

Në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshje, trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany, vlerësoi kundërshtarin, por theksoi se skuadra e tij luan vetëm për fitore para tifozëve të tyre.

“Do të përballemi me një nga klubet më të forta në Evropë. Ndoshta PSG-ja është një nga 10 ekipet më të mira. Kanë cilësi të shkëlqyera individuale dhe një trajner shumë të mirë. Të dyja skuadrat futen në fushë për të fituar. Ne luajmë në shtëpi dhe fitoren e kemi prioritet.

Sezoni deri tani ka qenë përgjithësisht i mirë për ne, por jo perfekt. Për mua nuk kanë rëndësi kritikat. E rëndësishme është që të mësojmë nga momentet e vështira. Nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të kemi të njëjtin mentalitet, pavarësisht kundërshtarit që është përballë. Synimi ynë është që fazën e grupeve ta mbyllim në vendet e para. Në ndeshje të tilla, duhet të japim gjithçka”, deklaroi Kompany. 

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, u shpreh se skuadra e tij ia ka komplikuar situatën vetes, për shkak të rezultateve në ndeshjet e kaluara.

“Ne kemi luajtur katër ndeshje në Ligën e Kampioneve dhe tre prej tyre i kishim në shtëpi. Nuk kemi marrë rezultatet që kemi merituar, por futbolli kështu është. Tani e kemi detyrim fitoren. Na duhen rezultatet, nëse duam të kualifikohemi për më tej. Nuk e dimë sa pikë do të marrim, por ia kemi komplikuar situatën vetes. Futbolli varet nga golat dhe ne duhet të përmirësohemi te kjo pjesë. Ne kemi bërë mirë në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, përveç asaj me Arsenalin. Na duhet një paraqitje e mirë edhe ndaj Bayern-it. Kur nuk e kemi topin, duhet të vrapojmë më shumë, duhet të rrisim nivelin”, deklaroi Enrique.

Pas katër ndeshjeve të para, Bayern Munich renditet në vendin e 17-të me 6 pikë, ndërsa PSG-ja mban vendin e 25-të me 4 pikë. /tvklan.al