Teksa po trumbetohet gjithnjë e më shumë një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar së fundmi se është shumë “herët” për të thënë se çfarë do të ndodhë mes përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.

Trump ka bërë të ditur se zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen në konferencën në Mynih dhe se Ukraina ishte gjithashtu e ftuar.

Por mediat shkruajnë se Rusia e cila nuk po merr pjesë zyrtarisht në konferencë si dhe një zyrtar i lartë ukrainas nuk kanë konfirmuar nëse do të ketë bisedime reale.

“Tani, nëse mund të negociohet një marrëveshje më e mirë, nëse ata mund ta bëjnë këtë, kjo është mirë me mua. Sa i përket negociatave, është shumë herët të thuhet se çfarë do të ndodhë. Ndoshta Rusia do të heqë dorë nga shumë gjëra, ndoshta nuk do ta bëjnë dhe gjithçka varet nga ajo që do të ndodhë. Në të vërtetë negociatat nuk kanë filluar”, tha Donald Trump.

Zelensky do të jetë i pranishëm dhe do të takohet me zv/presidentin e Trump, JD Vance dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit Marco Rubio.

Nuk është e qartë nëse Rubio do të mbërrijë në kohë për një takim të hershëm, pasi avioni i tij ushtarak pësoi një problem mekanik 90 minuta pas nisjes dhe u detyrua të kthehej në Uashington.

Zyrtarët evropianë kanë mbajtur një qëndrim jashtëzakonisht të fortë ndaj propozimit të paqes të Trump, duke thënë se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit nuk përfshiheshin në negocimin e saj.

Përpara konferencës në Mynih, zv/presidenti amerikan JD Vance për Wall Street Journal ka deklaruar se Moska mund të goditet me sanksione dhe veprime të mundshme ushtarake nëse Putin nuk arrin të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje që garanton pavarësinë afatgjatë të Kievit.

Nga ana tjetër, edhe Presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë për Finacial Times paralajmëroi se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila në fakt ishte një kapitullim ndaj Rusisë, do të ishte “lajm i keq për të gjithë”, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Sipas Macron, vetëm Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mund të negociojë në emër të vendit të tij. Ai gjithashtu pajtohet me qëndrimin e administratës Trump se Evropa ka përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e Ukrainës.

Kjo konferencë është ndër më të rëndësishmet në fushën e strategjisë dhe sigurisë ndërkombëtare. Ky vit ka të ngjarë të dominohet edhe një herë nga lajmet në lidhje me Rusinë dhe se si do të përparojë lufta në Ukrainë.

Të shtunën do të zhvillohen debate për gjendjen e rendit ndërkombëtar si dhe për konfliktet dhe krizat rajonale. Të dielën, konferenca do të përfundojë me diskutime mbi rolin e Evropës në botë.

Klan News