Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizojnë marrëdhënie diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi do të nënshkruajnë dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin do ta nënshkruajnë kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.

Ceremonia e nënshkrimit të këtij dokumenti do të nisë në ora 14:30.

Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael pritet të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë thënë se kjo ngjarje do të jetë historike, pasi për herë të parë dy shtete vendosin marrëdhënie përmes platformave virtuale.

Njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Donika Emini, thonë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit do të ndikojë në konsolidimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ata po ashtu shtojnë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime.

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Muhaxhiri: Marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, rikthejnë Kosovën në fokus

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se krijimi i raporteve institucionale në mes këtyre dy shteteve, do ta rikthejë në fokus Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

”Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në rifillimin e një angazhimi të Kosovës dhe për Kosovën në sferën ndërkombëtare, pasi tashmë është e qartë se ekziston një stagnim sa i përket avancimit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Prandaj, edhe ndërtimi i marrëdhënieve me Kosovën do ta rikthejë në fokus Kosovën dhe do krijojë një potencial të ri, i cili gjithsesi duhet të shfrytëzohet në mënyrë maksimale nga institucionet e Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Emini: Njohja nga Izraeli, sinjal për njohje të reja

Edhe Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, mund të jetë edhe sinjal për shtete që nuk e kanë njohur Kosovë, të marrin një vendim të tillë, pavarësisht problemeve të brendshme që kanë.

“Krijimi i marrëdhënieve më Izraelin është shumë me rëndësi, për shkak se Izraeli ka tejkaluar problemet e brendshme me Palestinën për ta njohur Kosovën. Kjo normalisht për Kosovën është shumë sepse ky element mund të përdoret edhe nga vendet jonjohëse të Bashkimit Evropian. Ka disa shtete të cilat nuk e njohin Kosovën, me arsyetimin se kanë problem të ngjashme në territorin e tyre, siç është Spanja. Tashmë ky element mund të përdoret nga Kosova, përderisa Izraeli ka tejkaluar Palestinën, Spanja mund të tejkalojë problemin e Katalonisë që nuk krahasohet me Kosovën, për të vendosur marrëdhënie diplomatike apo komunikim diplomatik”, tha Emini.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pati thënë përmes një letre se këto zhvillimet në mes të Izraelit dhe Kosovën mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, “mund të nxisë reagime”

Administrat e ish-presidentit Donald Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit më 2017 dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën amerikane në këtë qytet.

Ky vendim nxiti kritika në mesin e palestinezëve, vendeve me shumicë myslimane dhe shumë shteteve në Evropë, të cilët shprehën shqetësimin se një vendim i tillë do të mund të minonte prospektet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Megjithatë, Donika Emini shprehet se hapja e ambasadës së Kosovë në Jerusalem mund të shkaktojë reagime nga shtetet tjera të botës, por që nuk do mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Tash, vendosja e ambasadës në Jerusalem, Kosovës mund t’i kushtojë në marrëdhëniet diplomatike të cilat deri më tani i ka pasur solide me Turqinë, por edhe njohjet që Kosova i ka synuar nga bota arabe, e të cilat nuk i ka pasur. Tashmë është një diplomaci shumë e re e Kosovës, pa traditë, por duhet të dinë shumë mirë se si duhet të navigojnë në situata të tilla. Duke marrë parasysh se jo vetëm stagnimi i njohjeve apo marrëdhëniet me Turqinë, por edhe me Bashkimin Evropian mund të ketë problem, pasi menjëherë ka pasur reagime nga BE- ja për zhvendosjen e ambasadës së Serbisë në Jerusalem dhe ndërtimit të ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thekson Emini.

Zhvendosja e ambasadës, “vendim i rëndë për Serbinë”

Përveç Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit edhe Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, të cilin Izraeli e konsideron si kryeqytet të shtetit. Megjithatë, deri më tani Serbia nuk ka marrë asnjë veprim për të përmbushur këtë pikë të marrëveshjes.

Ky vendim është jashtëzakonisht i vështirë për shtetin e Serbisë, konsideron Artan Muhaxhiri.

“Ky do të jetë një vendim i vështirë për Serbinë sepse Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht shumë të mira me vendet arabe dhe ky vendim do ta dëmtojë raportin e Serbisë me këto vende, duke ditur raportet që ato kanë ndaj shtetit të Izraelit. Pra, edhe ky është një fakt që duhet të shfrytëzohet nga shteti i Kosovës për të dëshmuar hipokrizinë politike të Serbisë, e cila dëshiron që të përfitojë nga të gjitha palët, që shpeshherë duke u shfaqur kontradiktore”, thekson Muhaxhiri.

Lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, të dielën kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka thënë se “Kosova si Republikë parlamentare, si shtet sekular, mirëpret njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit dhe angazhohet për zgjerimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë”./REL