Një grup tifozësh të Serbisë brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë” në Marienplatz të Mynihut, ku u mblodhën përpara ndeshjes me Slloveninë. Koret e tifozëve janë më të fundit në një seri gjestesh politike nga tifozët në Euro 2024 në lidhje me Ballkanin.
Lidhjet e tensionuara politike midis Serbisë dhe Kosovës janë reflektuar në thirrje urrejtjeje, parulla dhe gjeste gjatë turneut, duke rezultuar në ankesa të ndërsjella.
Më herët Serbia kërkoi nga UEFA të ndëshkojë Kroacinë dhe Shqipërinë pasi akuzoi tifozët e tyre për thirrje urrejtjeje gjatë ndeshjes në Hamburg të mërkurën.
Jovan Surbatoviç, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, tha se ishte paraqitur një ankesë zyrtare, duke pretenduar se tifozët e Kroacisë dhe Shqipërisë brohorisnin “Vrite, vrite, vrite serbin” gjatë ndeshjes.
Ai madje kërcënoi se Serbia, e akuzuar vetë nga UEFA për incidente gjatë humbjes së tyre nga Anglia të shtunën e kaluar, mund të tërhiqet nga turneu nëse nuk merren masa disiplinore ndaj dy federatave.
Serbia është akuzuar nga UEFA pasi mbështetësit e tyre shfaqën një flamur të Serbisë që përfshinte Kosovën brenda kufijve të saj. UEFA tha se gjesti transmetoi një mesazh provokues, të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të 2008 dhe njihet zyrtarisht nga më shumë se 100 shtete.
Serbia, megjithatë, ende zyrtarisht e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Ajo akuzon qeverinë e Kosovës për shkeljen e të drejtave të serbëve etnikë.
Të mërkurën UEFA anuloi letrat kredenciale mediatike të një gazetari kosovar, pas ankesave për një gjest nacionalist që ai bëri ndaj tifozëve të Serbisë gjatë ndeshjes së tyre kundër Anglisë, të dielën në Gelsenkirchen.
Marrë nga Reuters. /tvklan.al