Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për hapjen e të gjitha pikave kufitare me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikat kufitare që do të hapen janë: Shishtavicë, Orshuç, Borje me Shqipërinë, Stançiç me Maqedoninë e Veriut si dhe pika e kalimit kufitar në Bërnjak me Serbinë.
Qeveria e Kosovës në Qershor vendosi për rihapjen e disa pikave kryesore doganore që ishin mbyllur më 13 Mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ndërsa tani ka vendosur t’i hapë të gjitha duke e kthyer në normalitet kalimin e qytetarëve nga zonat më të afërta kufitare. Gjithashtu, qeveria e Kosovës ka hequr kufizimet për intervalet e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Më 5 Korrik kishte vendosur që fluturimet të realizoheshin në intervale kohore prej 45 minutave. Kjo, për shkak të mbrojtjes nga mundësia e përhapjes së koronavirusit. Por masat për kontrolle në të gjitha pikat specifike mbeten në fuqi sa u përket hyrje-daljeve në territorin e Kosovës.
Klan Plus