Grumbullimet u shmangën për shkak të pandemisë
Xhamitë e Kosovës ka qenë të zbrazura sot gjatë faljes së namazit të Bajramit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit pa prezencë të qytetarëve, besimtarëve islamë, një rreth i ngushtë i zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës ka falur namazin e Bajramit në xhaminë e madhe në Prishtinë. Myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Sot jam para jush me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë ngase është hera e parë që po ju drejtohem pa xhemat. Megjithatë sot besimtarët myslimanë kanë arsye të ndihen të gëzuar sepse festojnë njërën prej festave më të rëndësishme në Islam. Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është themeltarë në besimin Islam. Përmes këtij ibadeti që në vete përmban sakrificën manifestohet besimi”, tha ai.
Ai ka theksuar se agjërimi i sivjetmë ka qenë i ndryshëm për dallim nga vitet tjera.
“Qe një kohë për shkak të pandemisë jemi detyruar që të jemi të izoluar në shtëpitë tona. Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të shëndetit publik sepse këtë e kemi edhe obligim në fenë tonë. Është urdhër nga Zoti i cili na drejtohet duke thënë ‘Assesi mos u futni jetën tuaj në rrezik’. Unë e kuptoj ndjesinë e besimtarëve që sot nuk janë në xhami për ta falur Bajramin. Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, por është domosdoshmëri për shëndetin publik”, tha ai.
Për arsye të njëjta, myftiu i Kosovës ka anuluar edhe pritjen tradicionale të Fitër Bajramit.
Tv Klan