Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në seancën e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë, u ndal edhe tek ish-drejtuesit e UÇK, për të cilët tha se vazhdojnë të mbahen peng nga Gjykata Speciale në Hagë.

“E sotmja do t’i ngjante shumë më tepër të shkuarës sesa të ardhmes pa UÇK, me në krye Hashim Thaçin. Sot që ne jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos këtu përpara meje pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi vazhdojnë të mbahen peng, prej gati 5 vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare, që në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj, virtytet e drejtësisë e një shteti të së drejtës. Nuk e diskutoj të drejtën e asaj gjykate speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle. Ku vetë Hashimi ka ngritur dorën për t’u formuar ajo gjykatë. Por ajo që unë nuk vij dot këtu në Prishtinë të marr fjalën dhe pastaj ta gëlltis në heshtje në këtë foltore para jush në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt nga një dyshim shumë i madh dhe krejt i arsyeshëm për fat të keq, se ai është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij, janë nën standardet e drejtësisë të të gjithë vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate”.

Rama shprehu çudinë e tij, për faktin se Kuvendi i Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjëherë një nismë për të ngritur shqetësimin mbi standardet e këtij procesi.

Unë nuk rri dot po ashtu, pa jua thënë këtu vëllazërisht, çudinë për faktin se në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nismë për t’ju kërkuar përmes një rezolute, të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate, shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi. Dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron, atëherë kjo është një gjë më e madhe jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, as vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, të cilës kjo republikë, përmes përfaqësuesve të saj në këtë sallë, ia dha në mirëbesim, gjykimin e historisë që lindi republikën. Ndaj nuk mund të lihet sipas meje në heshtjen zhurdhuese që ushqehet për gjithfarë motivesh, nga më fisniket te më politiket, që ajo gjëmë, nëse është gjëmë, ta bëjë dëmin e vet deri në fund”.

Kryeministri shqiptar tha se kurdo që Kuvendi i Kosovës do ta votojë një nismë të tillë, forca politike që ai drejton do ta depozitojë pa asnjë ngurrim në Kuvendin e Shqipërisë.

“Dua ta dini të gjithë ju dhe ata që na dëgjojnë, se nëse Kuvendi i Kosovës, kurdoqoftë, do ta ndërmerrte nismën për t’i dërguar të gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe për të ndarë me ta dyshimin e arsyeshëm për cenimin e standardeve demokratike në procesin ligjor kundër ish-krerëve të UÇK, dhe nëse do të na kërkohej që një nisme të tillë t’i bashkohet dhe Kuvendi i Shqipërisë, unë nuk flas dot për të tjerët përveç për forcën time politike, PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim, që të njëjtën rezolutë të votuar nga Parlamenti i Kosovës ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë’./tvklan.al