Një krim i rëndë në familje u regjistrua mëngjesin e kësaj të marte në fshatin Metoq të Sarandës, ku 49-vjeçarja Elvira Tahiraj goditi për vdekje me sëpatë në kokë bashkëshortin e saj 55-vjeçar.

Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit, teksa viktima Llazar Tahiraj ishte në gjumë kur u godit nga gruaja e tij.

Pas ngjarjes ajo mësohet të ketë dalë në oborrin e shtëpisë, aty ku u pikas nga një fqinj, të cilit i rrëfeu se kishte vrarë të shoqin.

Ishte pikërisht fqinji që vuri në dijeni policinë për ngjarjen e rëndë, e cila pasi mbërriti në vendngjarje shoqëroi në komisariat autoren 49-vjeçare.

Vetë ajo përpara grupit hetimor ka shfaqur paqëndrueshmëri në deklarimet e dhëna lidhur me aktin e rëndë.

Megjithatë ka pretenduar se vrasjen e ka kryer për shkak se bashkëshorti e kishte dhunuar mbrëmjen e së hënës.

Versionit se mes çiftit Tahiraj ka patur një konflikt i qëndron dhe policia, e cila deri më tani dyshon se ky është motivi i regjistrimit të ngjarjes së rëndë.

Tv Klan