Të dëmshëm dhe të pamenduar mirë po e konsiderojnë analistët në Kosovë vendimin e kryeministrit Albin Kurti, që së paku nëpërmjet tre anëtarëve të saj, të hyjë në garë për zgjedhje në Maqedoninë e Veriut. Analisti politik Rrahman Pacarizi vlerëson se ky vendim do ta mobilizojë edhe më shumë politikën maqedonase atje, kur dihet edhe ndikimi që ka Serbia dhe Rusia në këtë vend.
“Ndikon për të homogjenizuar partinë e ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut, VMRO-në, e cila do të jetë problematike me numrat që parashihet të fitojë. Të gjitha këto, duke pas parasysh ndikimin e madh që ka Serbia në këtë vend dhe në një mënyrë edhe Rusia, e bëjnë situatën të komplikuar, pjesëmarrjen e Vetëvendosjes të pamenduar mirë dhe të dëmshme”, thotë Pacarizi.
Analisti tjetër Bekim Kabashi konsideron se ky vendin do të ketë ndikim negativ edhe në raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut po vlerësohet se do të ketë ndikim negativ në përçarje të faktorit shqiptar atje, e që pastaj do të ketë pasoja edhe në avancimin e të drejtave të tyre në këtë shtet.
Analistët thonë se do të ketë inate dhe hatërmbetje edhe pas zgjedhjeve. Këshilltari i kryeministrit Bekim Qoku ka njoftuar një ditë më parë se ai dhe dy gra nga Vetëvendosje do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit në RMV me koalicionin e partive opozitare VLEN.
Tv Klan