Kriza energjetike ka rritur kërkesën për dru zjarrin vendin tonë. Afrimi i dimrit i ka bërë qytetarët të shqetësohen për mungesën e druve të zjarrit, pasi në shumë qytete të vendit tonë ato përdoren për ngrohje gjatë muajve kur temperaturat ulen ndjeshëm. Përveç sasisë së paktë të druve, qytetarëve u duhet të përballen edhe me fenomenin e abuzimit të çmimit, në disa vende drutë kanë filluar të shiten dy herë më shumë se vitin e kaluar.

Për të folur për këtë çështje korrespondentja e Klan News kanë ka treguar se si është situata në rrethin e Korçës. Sipas saj ndërsa jemi në prag të dimrit dhe temperaturat pritet që deri në fund të tetorit të pësojnë ulje të ndejshme, pjesa më e madhe e familjeve në juglindje të vendit ende nuk kanë mundur të sigurojnë drutë e zjarrit. Banorët kanë zgjedhur ngrohjen me dru si alternativa më pak e kushtueshme ndaj alternativave të tjera si energjia elektrike apo gazi.

Daniela Zisi: Teksa jemi në prag të dimrit pjesa më e madhe e familjeve janë duke kërkuar që të sigurojnë drutë e zjarrit, ndërsa sipas ekspertëve, familjeve që përdorin drutë e zjarrit nga Tetori deri në Mars u duhet 15-20 metër kub. Shkak për këtë situatë sipas drejtuesve të institucioneve kryesore të prefekturës, por edhe bashkive është bërë reduktimi i ndjeshëm i kontrabandës, aksionet e vazhdueshme kanë bërë që të parandalohet prerja e paligjshme e pyjeve. Aktualisht subjektet të cilat kanë fituar tendera për shpenzime të sipërfaqeve pyjore, po operohen vetëm me sasitë e druve që sigurohen nga bashkitë. Bashkitë e rajonit të Korçës me sipërfaqet që kanë, mund të sigurojnë vetëm 10-15% të nevojave të qytetarëve për dru. Pjesa tjetër duhet të sigurohet nga bashkitë e tjera. Ligji aktual nuk lejon që subjekte që janë licencuar për të shfrytëzuar një sipërfaqe pyjore në një bashki të caktuar të shesin dhe të tregtojnë drutë nëpër bashkitë e tjera. Banorët e Maliqit kanë protestuar që të merren masa për të siguruar drutë se deri më tani vetëm 10-15 e familjeve në këtë zonë kanë mundur të sigurojnë drutë për ngrohje.

Interesi nga ana e qytetarëve për të siguruar lëndë drusore është shumë i lartë. Sipas gazetares, ka abuzime në lidhje me çmimet pasi një vit më parë metri kub ka qenë 4500 Lekë ndërsa këtë vit është dyfishuar.

Korrespondenti i Elbasanit, Fatos Salliu ka treguar po ashtu në lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News, se si paraqitet situata në këtë qytet. Gjithashtu ai ka treguar se Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë në fakt një paketë ndihme për disa kategori, në mënyrë që të kenë mundësi të sigurojnë ngrohjen gjatë dimrit.

Fatos Salliu: Sipas kontakteve me kryetarin e Bashkisë, ai u shpreh se jo e gjithë popullsia mund të furnizohet me dru zjarri ndonëse kërkesat janë rritur, por paketa ndihmëse e bashkisë është përqendruar në 3 kategori kryesore. Fillimisht me dru zjarri do të trajtohen të gjithë personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, më pas pensionistët dhe të tretët personat me aftësi të kufizuar. Atyre do u shiten drutë me koston fillestare. Sipas kryetarit të bashkisë kjo kosto nuk arrin më shumë se 38.000 lekë të vjetra. Në tregun privat çmimet janë rritur, ndonëse pushteti vendor ka bërë që të ulet ky çmim, por sipas të dhënave e vëzhgimeve që kemi kryer, rezulton se një metër kub arrin deri në 70-80.000 lekë. Po ashtu bashkia e Elbasanit ka siguruar tashmë shkollat të cilat ngrohen me soba druri, ndërkohë që nuk di se si do të zgjidhet problemi i atyre që ngrohen me energji elektrike.

Kryesisht më të interesuar për të blerë dru zjarri janë banorët që jetojnë në zonat periferike, por së fundmi edhe në qytet është rritur kërkesa për të blerë dru zjarri. Në Gjirokastër deri më tani çmimi i druve ka qenë i njëjtë më vitin e kaluar, por pritet që të rritet me ardhjen e muajve të ftohtë.

Dorina Muhaj: Deri në këto momente do e blejnë me të njëjtin çmim që ka qenë më parë, 55000 lekë të vjeta, por do të ndryshojë me hyrjen e stinës së dimrit. Sa i përket interesit, ky vit i ka drejtuar familjet shqiptare drejt përdorimit të druve të zjarrit dhe jo vetëm në zonat rurale, të cilët preferojnë të kenë këtë lloj ngrohje, por edhe në qytetin e Gjirokastrës duket se shumë familje janë drejtuar drejt kësaj mënyre. Sa i përket interesit të qytetarëve ai është i lartë, por deri në këto momente nuk janë furnizuar ende me lëndët drusore për stinën e  dimrit./tvklan.al