Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë i është dhënë një përgjigje përfundimtare problemit të gjendjes katastrale dhe pronësisë mbi sipërfaqen e tokës për zonën e Gjirit të Kakomesë. Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit e ka komentuar kështu anën ligjore të ekzistencës së Gjirit të Kakomesë si një zonë turistike.
Bashkim Fino: “Toka në Gjirin e Kakomesë është pronë shtetërore, kjo e regjistruar në zërin kadastral kullotë, çka rezulton edhe prej shkresave të sektorit të administrimit dhe mbrojtjes së tokave pranë qarkut Vlorë dhe nuk i është dhënë në përdorim dhe as në pronësi si tokë bujqësore në bazë të ligjit 7501 datë 19.07.1991 për tokën punonjësve të ish-ndërmarrjes bujqësore “Përparimi”, ku përfshihet edhe fshati Nivicë. Çfarëdo akti i mësipërm apo i mëvonshëm nga hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave që unë e citova më lart 88 datë 01.03.1993 për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 90 datë 01.03.1993 për miratimin e strategjisë së zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe vendimin 517 datë 03.07.2003 për miratimin e strategjisë së zhvillimit të turizmit në Shqipëri deri në vitin 2012 është i pavlefshëm dhe bie në kundërshtim me to.”
Më tej kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i KRRTRSH-së zoti Fatos Nano tha:
Fatos Nano: “Bie çdo rezervë për Kakomenë, vendimi aktivizohet!”
Ndër të tjera, gjatë kësaj mbledhje janë shqyrtuar dhe miratuar disa studime urbanistike dhe investime. /tvklan.al